Shoqata e Mullisëve të Kosovës, e cila përfaqëson industrinë e përpunimit të grurit në Kosovë, ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), për vendosjen e masave mbrojtëse në import të miellit nga Republika e Serbisë, në bazë të Ligjit për Masat Antidumping dhe Masat Kundër-Balancuese.
“Pas shumë vitesh dhe pas shumë takimeve dhe kërkesave, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) i del në mbrojtje kësaj industrie nga konkurrenca jo e drejtë që vjen nga Serbia. Ministri, respektivisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marre vendim për vendosjen e masave mbrojtëse në import të miellit nga Republika e Serbisë, në bazë të ligjit 04/L-240 për Masat Antidumping dhe Masat Kundër-Balancuese të aprovuar në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të kësaj shoqate, të nënshkruar nga Muhamet Farizi, drejtor Ekzekutiv.
“Kjo masë, sado që është e ulët, do t’u mundësojë fabrikave të miellit të mbijetojnë dhe të vazhdojnë të furnizojnë Kosovën me miell dhe njëkohësisht të shërbejnë mbi 25 000 bujq prodhues të grurit në Kosovë. Kjo kategori janë të një rëndësie të veçantë sepse janë ata që sigurojnë grurë dhe ulin varshmërinë e Kosovës për grurë nga importi. Gruri ka rendësi të veçantë në sigurimin e stabilitetit social në Kosovë. Dihet se familjet kosovare ushqimin kryesor e kanë bukën”.
Shoqata e Mullisëve sqaron se në Kosovë janë rreth 90 mullinj, nga të cilët vetëm 40 janë aktivë; 10 të tjerë janë aktivë kohe pas kohe dhe te tjerët janë mbyllur pikërisht nga konkurrenca jo e drejtë që ka ardhur nga prodhuesit serbë, të cilët subvencionohen nga shteti i vet.
“Janë mbi 2000 punëtorë që punojnë në industrinë e përpunimit të grurit në Kosovë. Duke marrë për bazë këtë, fabrikat e miellit në Kosovë blejnë të gjithë grurin që prodhon bujku kosovar. Kjo është po ashtu faktor shumë i rëndësishëm sepse nëse ishin mbyllur te gjitha fabrikat e miellit në Kosovë, atëherë edhe gruri i bujqve të Kosovës nuk kishte pasur mundësi të shitej askund”, thuhet më tutje në reagimin e Shoqatës së Mullisëve.
Shoqata, në emër të prodhuesve të grurit në Kosovë, falënderon MTI-n për angazhimin e tyre në mbrojtje të sinqertë të prodhuesve vendës.
“Mendojmë se ky rast është shembull i mirë se si duhet marrë vendime adekuate për të mbrojtur edhe industritë e tjera prodhuese në Kosove, të cilat ballafaqohen çdo ditë me probleme të ngjashme”.
“Të mos harrojmë se prodhimi është kusht elementar për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik”, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga drejtori Muhamet Farizi.
Në vendimin e MTI-së, Dogana e Kosovës udhëzohet që të ndërmarrë të gjitha masat për mbrojtjen e prodhuesve të miellit, duke u bazuar në Memon shpjeguese të Departamentit të Tregtisë dhe Komisionit për vlerësimin e masave në import, të datës 19.10.2017-të, duke aplikuar tarifën 0.04 centë për kilogram.