Shoqata e ndërmarrjeve që merren me qarkullimin e naftës, derivateve të naftës, gazrave dhe lubrifikanteve – SHQNGL, në një konferencë për medie, ka shprehur shqetësimet lidhur me udhëzimet administrative të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, që prekin naftëtarët, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani, tha se nuk janë kundër ligjeve, por janë kundër udhëzimeve “të palëve të interesit”.
Berjani tha se ankesat e tyre lidhen me pastrimin e detyruar të rezervuarëve të naftës, si dhe me udhëzimet që lidhen me kontrollin e cilësisë.
“Pas takimeve me kryeministrin në detyrë, nuk kërkojmë diçka që nuk bëhet”, shtoi ai.
Tahir Zogaj, kryetar i këshillit protestues, tha që pas takimeve që kanë zhvilluar, kanë arritur në përfundim se udhëzimet nuk janë të drejta.
“Për këto tri udhëzime ne jemi në kundërshtim duke përfshirë rritjen e çmimeve të derivateve dhe kalibrimit, pastrimit të rezervuarëve dhe të jetë jo vetëm një operator për pastrimin e rezervuarëve, por të jenë më shumë”, tha Zogaj.
“Ne po kërkojmë që këto udhëzime të pezullohen deri në ndryshimin e tyre. Ne po kërkojmë rishikimin e këtyre udhëzimeve, jo shfuqizimin e tyre”, tha Zogaj.