Me anë të një komunikate dërguar mediave, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, është shprehur e shqetësuar lidhur me kërcënimet e shpeshta që po i bëhen prokurorëve të shtetit kohëve të fundit.
“Kërcënimi i serishëm me likuidim fizik ndaj prokurorit të Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku dhe familjes së tij, nëpërmjet një mesazhi telefonik brenda këtij muaji është shqetësuese për shoqatën e prokurorëve të Kosovës”.
“Shoqata bën thirrje për të gjitha institucionet prej nga po vijnë kërcënimet që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për arrestimin e secilit person që bën kërcënime të tilla ndaj prokurorëve të shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Kjo shoqatë po ashtu thekson se kërcënimet apo sulmet ndaj prokurorëve të shtetit nuk do të lëkundin asnjë prokuror që të zbatojë ligjin dhe të ndërmerr të gjitha veprimet e mundshme ligjore për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që dyshohen se kanë kryer vepra penale.