Shoqata e Prokurorëve reagon lidhur me kërcënimin e prokurorit Ersan Qavolli

Prishtinë | 11 Tet 2024 | 18:57 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës dënon me ashpërsi çdo formë kërcënimi apo presioni ndaj prokurorëve që janë në vijën e parë të mbrojtjes së ligjit dhe drejtësisë. Në lidhje me kërcënimin e bërë ndaj Prokurorit Ersan Qavolli, pas sekuestrimit të mbi 1 ton lëndë narkotike në Pejë, Shoqata jonë shpreh shqetësim të thellë dhe solidaritet të plotë me Prokurorin Qavolli dhe të gjithë kolegët që përballen me sfida të tilla në ushtrimin e detyrave të tyre.

“Prokurorët e Republikës së Kosovës janë të përkushtuar për të zbatuar ligjin paanshmërisht dhe pa frikë nga kërcënimet, ndërsa këto akte të papranueshme nuk do të cenojnë përkushtimin tonë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Ne si Shoqatë e Prokurorëve të Republikës së Kosovës inkurajojmë hetuesit policor së bashku me prokurorin e rastit që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të siguruar mbrojtjen e integritetit dhe sigurisë së prokurorit, si dhe për të ndjekur penalisht përgjegjësit e këtyre veprimeve të paligjshme”, thuhet në reagim.

Shoqata e Prokurorëve thotë se do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm çdo prokuror që ndodhet përballë presioneve dhe kërcënimeve gjatë kryerjes së detyrës, dhe njëkohësisht do të insistojë që drejtësia të mbizotërojë në çdo rast, pavarësisht rrethanave.

Të ngjashme