Shoqata e të Zhdukurve “Përkorë” në Podujevë thotë se në negociatat Kosovë-Serbi duhet të diskutohet edhe çështja e të pagjeturve.
Në vijim reagimi i plotë i kësaj shoqate:
Për fetusin 8 muajsh dhe Leotrimin 7 vjeçar, qeveria e ardhshme t’i jap epilog të të pagjeturve
Çdo kush që do të udhëheq me negociatat Kosovë-Serbi, nuk e ka më luksin që të mos i ngrit çështjet e nxehta me Serbinë.
Në çdo platformë të bisedimeve Kosovë-Serbi, çështja më me prioritet duhet të mbetet fati i të zhdukurve, veçanërisht i fëmijëve. Se ushtria dhe polica serbe nuk pati mëshirë ndaj fëmijëve por edhe ndaj femrave, flasin argumente, si rasti i Leotrimit 7 vjeçar, nga Rezalla e Drenicës.
Sa për ilustrim po i përmendim disa, nga numri i përgjithshëm i të zhdukurve në Kosovë. 532 kanë qenë fëmijë ndërsa 627 femra. Vetëm në një varrezë masive në Batajnicë nga 36 viktima, 14 kanë qenë femra, 9 fëmijë dhe një fetus 8 muajsh. Deri më tani vetëm nga varrezat masive nëpër vende të ndryshme në Serbi janë identifikua 125 mbetje mortore të fëmijëve. Gjatë hulumtimeve për ndonjë varrezë masive në Rudnicë të Serbisë, trupat e parë që janë zbulua gjatë mihjes së ekskavatorit kane qenë të dy fëmijëve.
Në serbi ka dyshime edhe për disa varreza masive në rrethinën e Rashkës, Surdullicë e cila gjendet afër kufirit Serbi – Bulgari dhe ne disa vende tjera. Është rasti i vetëm ndoshta në botë që një shtet sikurse Serbia që kimet e bëra, të përpiqet t’i fsheh duke i bartur trupat e të vrarëve 500 kilometra nga vendi i krimit dhe t’i varrosë në vendet të ndryshme të Serbisë, si në Batajnicë afër Beogradit, Petrovo Sello afër kufirit Serbi –Rumnai, Peruçaci afër kufirit Serbi-Bosnje e Hercegovinë, pastaj hedhja e trupave të shqiptarëve nëpër lumenj, ndërtimi i objekteve –shtëpive mbi varrezat masive etj.
Edhe pse ka edhe shumë argumente dhe dëshmi për krimet serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, në vend që të jemi në ofensivë, ne jemi në defensivë.
Në gjykatën Speciale, po gjykohen udhëheqësit kryesore të luftës së UÇK-së. Nuk po gjykohen askush nga pala serbe, që i kryen krimet, e që janë të faktuara me dokumente, fotografi dhe dëshmi të gjalla.
BE-ja po e merr si të mirëqenë gjykimin ndaj ish-drejtuesve të luftës, por në asnjë moment nuk po heziton të fals me Vuçiçin që ka qenë zëdhënës i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millisheviçit. Përfaqësuesit e BE-së asnjëherë se kanë pyet Vuçiçin e as Daçiçin se ku po i fshehin të vrarët shqiptar, sepse Vuçiçi dhe Daçiçi i dinë të gjitha, sepse njeri ka qenë zëdhënës e tjetri bashkëpunëtor i ngushtë i atij regjimi.
S’ka kuptim më të vazhdohet me negociata të pafundme kur nuk kemi asnjë rezultat. Pavarësisht të gjithave, do të duhet të ketë një epilog: Serbia ta pranojë krimin e kryer, dhe e gjithë ta kuptojnë një herë mirë kush është vrasësi e kush viktima. Për hatër të Leotrimit 7 vjecar dhe për hatër të këtij fetusi 8 muajsh që nuk arriti ta shoh as dritën e kësaj bote, duhet të bëhemi bashkë dhe të punojmë që ta kuptojë bota kush është viktima dhe kush ka qenë vrasësi.
Familjarët e të zhdukurve dhe të vrarëve e kanë kuptuar se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë diskutuar për mundësin e amnistimit të të gjitha krimeve. Të amnistohen vrasësit, dhunuesit, ata që i kanë zhdukur shqiptarët, që i kanë djegur shtëpitë tona dhe i kanë plaçkitur, ata që i kanë dhunuar motrat tona. Kjo nuk guxon as të mendohet, dhe lëre më të diskutohet.
Që nga pas lufta që drejtoi OJQ-në “Përkorë”, për të zhdukurit, përvoja ime me familjarët e të zhdukurve është e njëjtë, ata presin eshtrat e më të dashurve të tyre. Andaj, puna e çdo qeveria është të gjenden eshtrat e më të dashurve të tyre dhe njëkohësisht ta marrin dënimin ata që kanë kryer krime. Pritjes duhet t’i vije fundi dhe të politikanëve të papërgjegjshëm tash e 21 vite.