Vendimit të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë për lirim nga pagesave të peronëve për operatorët e linjave ndërurbane iu është bashkangjitur edhe stacioni i autobusëve në Gjakovë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë thirrje që kjo praktikë të zbatohet edhe nga stacionet në komunat e tjera të Kosovës.
“Ky vendim i stacionit të autobusëve që ka ardhur sot vjen pas kërkesës që unë i kam bordit përkatësisht stacionit të autobusëve për të liruar të gjithë operatorët nga pagesa e tarifës së perononizimeve për shkak të numrit të vogël të udhëtarëve dhe për shkak të humbjeve që i kanë të mëdha gjithë operatorët e transportit rrugorë të udhëtarëve”.
“Sa jam unë në dijeni këtë politikë tashmë po e zbaton edhe Stacioni i Autobusëve në Gjakovë dhe uroj që kjo praktikë të ndiqet edhe nga stacionet tjerë të autobusëve me të vetmin qëllim që tu dilet në ndihmë”, tha Kurtishaj.
Kurtishaj ka treguar se i kanë dorëzuar edhe një kërkesë tjetër për lirim nga pagesa të operatorëve të trasportiti ministrit Lumir Abdixhiku, për lirim nga pagesa për të gjithë ato kompani që u ka skaduar rendi i udhëtimit si ndihmë për gjendjen ekonomike të krijuar si pasojë e pandemisë.
“Ne i kemi dërguar një shkresë ministrit duke i paraprirë ministrit me një kërkesë të veçantë që ka pasur të bëjë me rendet e udhëtimit, në shkurt të 2020 gjithë operatorëve u ka skaduar rendi i udhëtimit për transportin ndërurban dhe ne kemi kërkuar si shoqatë i kemi dorëzuar ministrit Abdixhiku një shkresë për lirim nga pagesa të taksës për të gjithë operatorët të cilët duhet të pajisen me rend të udhëtimit”, shtoi ai.
Kurse sa i përket paralajmërimeve të institucioneve për hapjen e kufijve Kurtishaj është shprehur se janë të gatshëm të rifillojnë punë në transportin ndërkombëtarë dhe mirëpresin këtë vendim, por që për ta sfidë është respektimi i distancës në autobus.
“Ne po i ndjekim me vëmendje të veçantë qoftë deklarimet e kryeministrit shqiptar Edi Rama e të kryeministrit në detyrë zoti Kurtit për ne është shumë me rëndësi si operatorë të jemi në koordinim me vendimet e qeverive, për ne është më se e nevojshme të zbuten masat e kufizimit të lirisë së lëvizjes dhe më tutje me fillimin e punës me Shqipërinë ne mirëpresim çdo veprim të tillë urojmë që kjo të ndodhë sa më shpejtë”.
“Ne si operatorë jemi të gatshëm për të rifilluar punën. Problem në vete paraqet edhe distanca sociale në autobus e cila duhet të mbahet sipas atij dokumenti të cilin na i kanë dorëzuar për të rifilluar punën”, është shprehur ai për EO.