Drejtuesi i shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, ka treguar se do të ndërtohen edhe 15 shtëpi të reja në komunën e Pejës.
Kastrati përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se është arritur një Memorandum bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ku për secilën shtëpi, komuna do të participojë nga pesë mijë euro.
Sipas tij, pjesën tjetër të shpenzimeve do të participojnë donatorët tjerë.
“Memorandum bashkëpunimi! Edhe 15 shtëpi të reja po ndërtohen në komunën e Pejës. Sot nënshkruam Memorandum bashkëpunimi me komunën e Pejës për ndërtimin e 15 shtëpive për familjet nevojtare. Bashkë me kryetarin Gazmend Muhaxheri bëmë nënshkrimin e këtij memorandumi ku për secilën shtëpi komuna do të participojë me pesë mijë euro, ndërsa pjesën tjetër donatorët përmes shoqatës sonë. Bamirës Zoti kurrë mos ju humbte”, ka shkruar Kastrati.