Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm kritikon minstren Gërvalla, thotë se ka lëshuar vendime sporadike për përfundim mandati

Prishtinë | 17 Maj 2024 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ) ka shprehur shqetësimin lidhur me veprimet brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) të cilat thotë se sistematikisht bien ndesh me parimet e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe mos-diskriminimit të anëtarëve të shërbimit të jashtëm.

“SHSASHJ sërish njofton publikun për shkeljet e legjislacionit në fuqi – kushtetutës, ligjeve dhe akteve të tjera nënligjore – nga udhëheqësit kryesorë të MPJD-së: Ministrja, Zëvendësministrja dhe Zëvendësuesi i sapoemëruar i Sekretarit të Përgjithshëm (tashmë i emëruar Sekretar i Përgjithshëm me konkursin e hapur enkas për të).”

Sipas kësaj shoqate, në përpjekje për t´i shmangur pasojat ligjore, para pak javësh Ministrja e zhvendosi . Behar Isma nga pozita e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm – të cilën pozitë e mbajti si zëvendësues mbi dy vjet – në pozitën e Zëvendësuesit të Drejtorit të Departamentit Ligjor në MPJD. SHSASHJ ka kërkuar opinion nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK). Ndërkohë, Ilir Muçaj u instalua në pozitën e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm, zyrtar i sapo-transferuar në MPJD në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit (një nivel më ultë se pozita e Drejtorit të Departamentit[1]) nga Zyra e Kryeministrit ku mbajti pozitën “Shef i Divizionit për Energji, Mjedis dhe Transport”. Edhe paraardhësi z. Behar Isma kishte qenë Shef i Divizionit në ish-Ministrinë e Diasporës para se të emërohej në pozitën e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm në MPJD.

“Z. Muçaj, në aktivitetin e vet të parë zyrtar në pozitën e re e vërtetoi se nuk e ka problem mosrespektimin e legjislacionit. Vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës si Zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm, formoi një komision për ti graduar në mënyrë të paligjshme madje me disa grada përnjëherë paraardhësin e tij z. Behar Isma dhe Drejtorin e Departamentit të Financave z. Mizbah Mustafa. I gjithë procesi u zhvillua nën masa të rrepta fshehtësie, duke iu mohuar mundësitë e barabarta zyrtarëve të MPJD-së, pra duke mos iu dhënë mundësia e shprehjes së interesimit për gradim. Komisioni për grada dhe disiplinë kërkohet që të mblidhet dy herë në vit, por nuk është thirrur për vite të tëra. Një numër i konsiderueshëm i diplomatëve janë në prag të përfundimit të mandatit të tyre në misione me grada të njëjta, disa janë pranë pensionimit, e disa të tjerëve nuk iu është dhënë asnjëherë mundësia për të shërbyer jashtë vendit në mungesë të gradave”, shkruan tutje kjo organizatë.

“Sidomos në muajt e fundit, Ministrja ka lëshuar vendime sporadike për përfundim mandati, ndërprerje mandati para afatit të përcaktuar ligjor apo transferim nga një mision në tjetrin pa asnjë bazë ligjore – aq më pak strategji. Në të njëjtën kohë, disa të tjerë i mban nëpër misione me dy e më shumë mandate (në të njëjtin vend) apo ka dërguar në mision jashtë vendit pa e kaluar së paku periudhën kohore të përcaktuar me ligj të shërbimit në MPJD dhe pa gradë diplomatike. Këto ndërhyrje mikromenaxheriale të nivelit të Ministres që vijnë edhe si rezultat i qëndrimit joprofesional karshi mbrojtjes së interesave të punëtorëve të MPJD-së në pozita e Sekretarit të Përgjithshëm, po dëmtojnë sistemin e diplomatëve të karrierës dhe të zyrtarëve që punojnë në MPJD. Tanimë është bërë e pamundur të planifikohet jeta e një diplomati dhe familjarëve të tyre me të gjitha këto lëvizje dhe në kundërshtim të praktikave ndërkombëtare”.

Kjo organizatë thotë se së fundmi është përgatitur një draft-projektligj për Shërbimin e Jashtëm. I njëjti nuk dihet se nga kush është përgatitur, është mbajtur në fshehtësi absolute, dhe pa dalë fare në konsultim me diplomatët apo zyrtarët e MPJD-së është dërguar për konsultime tek ministritë tjera.

Të ngjashme