Nga muaji mars kur pandemia ka përfshirë Kosovën vështirësitë kanë qenë të mëdha edhe për personat me nevoja te veçanta, tha në një intervistë për Ekonomia Online, kryetari i Forumit Kosovar për Nevoja të Veçanta Bujar Kadriu.
Kadriu, ka apeluar te institucionet e vendit që tu ofrohen shërbime fëmijëve dhe të rinjve me nevoja të veçanta sepse kanë hasur në vështirësi në kohën e pandemisë.
“Padyshim pandemia ka pasur vështirësitë sepse ne kemi ardhur në një situatë të re e cila ka qenë e panjohur për krejt globin dhe konsiderojë që në rrethana të caktuara jemi munduar që të adaptohemi dhe fatmirësisht kemi arritur që ndërmjet organizatave UNICEF, t’i dalim në ndihmë familjeve dhe fëmijëve me nevoja të veçanta ku kanë përfituar mbi 3 000 fëmijë duke përdorur platforma të ndryshme të cilat janë aktuale”.
“Ne praktikisht nuk kërkojmë shumë fonde prej institucioneve. Mandati jonë është të avokojë para institucionit për të përmirësuar situatën e personave me nevoja te veçanta. Ne mendojmë që organizatat anëtare siç janë ajo e të verbërve, doën sindrome dhe personat me autizëm, ata duhet të përkrahen nga institucionet sepse ata ofrojnë shërbime drejtpërdrejt komunitetit dhe pa fonde ata nuk mund të funksionojnë”.
“Si pasojë e kësaj ato organizata mund të mbesin pa fonde. Prandaj apeli im është t’i përkrahin këto organizata dhe të ofrojnë shërbime në komunitet dhe ku përfitojnë fëmijët dhe të rinjtë me nevoja të veçanta sepse ka pasur shumë vështirësi në kohën e pandemisë”.
Ai theksoi se forumi tani është në kushte më të mira falë partnerëve ndërkombëtar, raporton EO.
Madje, Kadriu tha se përmes programit 4 vjeçar synojnë të përmirësojnë situatën e personave me nevoja të veçanta në fushën e legjislacionit dhe të drejtave të tyre.
“Praktikisht forumi duke u bazuar në kushtet të cilat ka qoftë kushteve fizike apo partnerëve që i kemi, konsiderojë që ne për një kohë të shkurtër kemi arritur që të kemi partner serioz duke përfshirë ata ndërkombëtar dhe vendor. Ndërsa sa i përket këtyre partnerëve krijimit të kushteve konsiderojë që e kemi të mira. Aktualisht kemi partneritet me SIDIN e Suedisë me partnerin tonë CREF”.
“Do të kemi një program për 4 vjetët e ardhshme ku synimi i atij programi është që të përmirësojë situatën e personave me nevoja të veçanta në fushën e legjislacionit dhe të drejtave të personave me nevoja të veçanta. Në këso rrethanash ne jemi të angazhuar në organizatat ndërkombëtare që të punojmë bashkërisht në mënyrë që të arrijmë diçka e cila është në interes të personave me nevoja te veçanta”.