Organizatat e shoqërisë civile ka reagojmë ndaj ftesës së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për mbledhje të Qeverisë së dorëhequr, si dhe ndaj çdo vendimi të rëndësishëm që potencialisht mund të votohet nga Qeveria e dorëhequr.
Instituti i Kosovës për Drejtësi, Instituti për Zhvillimin e Politikave, Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane dhe Iniciativa për Progres, thotë se Qeveria e dorëhequr prej datës 19 korrik, nuk ka legjitimitet për të vazhduar me zbatimin e planit të saj qeverisës, dhe çdo tentim që gjatë kësaj kohe të merren vendime të rëndësishme, sepse bien në kundërshtim me parimet bazë të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë.
“Ftojmë ish-kryeministrin dhe Qeverinë në dorëheqje që deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, të kujdesen vetëm në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të domosdoshme për ta mbajtur funksionale administratën shtetërore, për të parandaluar vakumin institucional. Qeveria në dorëheqje assesi nuk ka mandat qeverisës, që të vazhdojë me zbatimin e politikave të saj, sikurse ka paralajmëruar pikat për mbledhjen e radhës së Qeverisë, sikurse të mos kishte ndodhur asgjë. Në këtë situatë në të cilën gjendet vendi, ne – organizatat e shoqërisë civile – kërkojmë nga Qeveria e dorëhequr që mos të ndërmerr asnjë veprim për nxjerrjen e vendimeve të rëndësishme, në të kundërtën për secilin vendim të dyshimtë, Prokurori i Shtetit duhet të veprojë në drejtim të ndjekjes të secilit zyrtarë të lartë shtetërorë, duke filluar prej Kryeministrit deri tek të gjithë Kabineti i Ministrave dhe zyrtarëve të tjerë publikë, të cilët e shfrytëzojnë situatën e krijuar për të marrë vendime të rëndësishme, të cilat mund të merren vetëm nga një qeveri legjitime. Ne – organizatat e shoqërisë civile – i bëjmë thirrje Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, që në kuptim të përmbushjes së obligimeve kushtetuese drejt garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, mos të humb kohë, por të ndërmerr masat urgjente që në konsultim me partitë politike të shkojnë në drejtim të zgjidhjes për zgjedhjen e institucioneve legjitime”, thuhet në reagim.