Shoqëria Civile: Janë evidentuar shkelje ligjore në procesin e prokurimit të zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë

Prishtinë | 09 Gus 2023 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përberë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shpreh shqetësimin e thellë për shkeljet e njëpasnjëshme ligjore në procesin e prokurimit “Zgjerimi i rrugës nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë” nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (tutje: MMPHI).          

Para tetë muajsh, MMPHI, si Autoritet Kontraktues ka njoftuar për fillimin e procedurës së aktiviteti të prokurimit “Zgjerimi i rrugës nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë”, që në vazhdimësi është përcjellur me shkelje ligjore.

Lidhur me këtë, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), kishte lëshuar dy rekomandime. Në njërin MMPHI ishte rekomanduar që të përmirësojë vendosjen e “Kritereve Kualifikuese”, të cilat ishin në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP). Pra MMPHI kishte kërkuar nga Operatorët Ekonomik (OE) ta sjellin listën me të cilën specifikohet të gjitha projektet e punëve dhe aktivitet ndërtimore të realizuara nga data e publikimit të njoftimit për kontratë. Në këtë rast MMPHI ka shkelur nenin 69 paragrafi 6.2 të LPP-së, i cili specifikon se OE-të duhet të sjellin “Listën me të cilën specifikohet të gjitha projektet e punëve dhe aktivitetet ndërtimore të realizuara në periudhën e shkuar trevjeçare”.  KRPP, gjithashtu kishte dhënë rekomandim që vendosja e kërkesave administrative, kualifikuese dhe përzgjedhëse të bëhen sipas nenit 27.10 të Rregullores Nr.001/2022 për Prokurimin Publik (RrPP), e cila përcakton se “Kriteret minimale për kualifikim (kriteret e përzgjedhjes) nuk përdoren si kritere në procesin e dhënies së kontratës”.

Rekomandimet e KRPP kanë natyrë obligative në rastin e MMPHI për shkak se evidentojnë shkelje ligjore, por përkundër kësaj këto rekomandime janë injoruar dhe për pasojë kanë cenuar seriozisht këtë procedurë tenderuese.

Tutje, MMPHI, ka nënshkruar kontratën për dhënie të tenderit edhe pse në Organi Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) ka ankesë të pa shqyrtuar të një operatori ekonomik. Paragrafi 1 i nenit 112 të LPP-së, që specifikon efektin pezullues të ankesave, parasheh se: “.. dorëzimi i një ankese e obligon autoritetin kontraktues “AK” që automatikisht ta pezullojë zbatimin e aktivitetit të prokurimit me të cilin ka të bëjë ankesa në fjalë”. Rrjedhimisht MMPHI ka qenë e obliguar që automatikisht ta pezulloj procedurën dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim procedural, deri sa të trajtohet ankesa dhe të ketë vendim nga OSHP.

Ndër të tjera, kontratat e këtij aktiviteti të prokurimit janë nënshkruar nga zëvendësministri z.Hysen Durmishi, dhe jo nga ministri siç parashihet në paragrafin 2 të nenit 26 të LPP-së.

Vendimi me të cilin është autorizuar zëvendësministri për nënshkrimin e kontratave në vitin 2021 ka qenë në kundërshtim me LPP (neni 26, paragrafi 2) dhe i njëjti nuk ka pasur bazë ligjore. Për më tepër, MMPHI ka vazhduar të përdorë të njëjtin vendim edhe pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Qeverinë. Më konkretisht, neni 12 i Ligjit për Qeverinë saktëson delegimin e përgjegjësive të ministrit të caktuara me ligj, nga ky i fundit tek zëvendësministri. Gjithashtu, deklarimet publike të zëvendësministrit për njohje personale me njërën nga kompanitë fituese, paraqesin konflikt interesi.

Edhe përkundër rekomandimeve të KRPP-së, si dhe shkeljeve të evidentuara, MMPHI ka vazhduar jashtëligjshëm me nënshkrim të kontratave dhe operatorët ekonomik kanë filluar punën. Ne kërkojmë që të rishqyrtohen dhe të anulohen vendimet e marra në mënyrë të jashtëligjshme, si dhe ju bëjmë thirrje organeve kompetente ta hetojnë këtë aktivitet të prokurimit.

Të ngjashme