Organizatat e Shoqërisë Civile në Kosovë kanë mbajtur konferencë për medie me temën “Kërkesat urgjente të shoqërisë civile drejtuar institucioneve të Kosovës rreth zhvillimeve të fundit pas tërmetit në Shqipëri”, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Shoqërisë Civile, Taulant Hoxha, ka deklaruar se pas solidarizimit të madh të njerëzve në Kosovë për njerëzit e prekur nga tërmeti është dashur një menaxhim dhe koordinim mes qytetarëve dhe institucioneve në vend.
“Pas tërmetit i cili goditi Shqipërinë, kushtet e krijuara i detyruan qytetarët të kërkojnë strehim në Kosovë, populli u solidarizua mjaftë shume si me veshmbathje e ushqim ashtu dhe të holla. Poashtu ishin në orët e para ushtria që i doli në ndihmë. Të njëjtin menaxhim nuk e kanë bërë për tu strehuar njerëzit që kanë ardhë në Kosovë”.
Hoxha theksoi se duhet një koordinim me qytetarët për të menaxhuar situatën nëse përsëriten situata të tilla në ditët në vijim.
“Kërkesa për strehim të qytetarëve të Shqipërisë ishin të mëdha. U organizuan të gjithë për të akomoduar qytetarët e Shqipërisë. Nëse gjendja e njëjtë përsëritet nga kjo eufori pozitive për t’i dalë në ndihmë rrezikon të na dalë nga kontrolli. Rikujtojmë që të menaxhojnë situata të tilla, sidomos për të udhëzuar qytetarët qe të përfshihen në këtë operacion”, tha ai.
Hoxha ka përmendur një sërë kërkesash të cilat janë krijuar nga shoqëritë civile në vend.
Ata kanë kërkuar që të formohen shtabe emergjente, qendrore e lokale si dhe të bëhet një databazë për regjistrimin e gjithë qytetarëve të Shqipërisë.
“Ta krijohet një shtab qendror urgjent për t’i koordinuar të gjitha veprimet për qytetarët, krijimin e shtabeve lokale urgjente. Një qendër unike të thirrjeve që ta lehtësojnë punën. Të bëjnë një databazë për të gjithë qytetarët që hynë dhe do të hynë në Kosovë. Ta nis një fushatë gjithëpërfshirës për qytetarët e Kosovës për gjitha veprimet që duhet bërë ose jo në gjendje të tillë”.
“Ta sigurojnë një mirëqenie mesatare për qytetarët që po strehohen në Kosovë. Ky angazhim vullnetar i yni duhet të kanalizohet në kuadër të një angazhimi institucional të koordinuar në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor të Qeverisë dhe institucioneve tjera publike”, u shpreh Hoxha, raporton EO.