Ka filluar një peticion për ndalimin degradimit të mëtutjeshëm të ambientit nga Mini Hidrocentralet dhe Hidrocentralet e vogla.
Në një njoftim për media të Shoqërisë Civile, bëhet me dije se të martën, më 29 tetor fillon nënshkrimi i peticionit, nëpërmjet të cilit qytetarët e Kosovës i kërkojnë institucioneve më të larta të vendit, që të ndalin degradimin e mëtutjeshëm të ambientit nga Mini Hidrocentralet dhe Hidrocentralet e vogla.
“Shkatërrimi i vazhdueshëm i resurseve tona natyrore nga të gjithë ata që abuzojnë dhe shfrytëzojnë resurset e vendit për përfitime individuale, qofshin vendim-marrës apo investitorë, na shtynë të protestojmë dhe të premtojmë se nuk do të ndalemi. Argumentet e mbledhura dëshmojnë se nëse nuk veprojmë TASH dhe menjëherë, lumenjtë e Kosovës, si dhe popullata që jeton në afërsi të tyre, do të shkatërrohen dhe degradohen në pakthim”, thuhet në njoftimin për media të shoqërisë civile.
Sot po ndërtohen hidrocentrale të vogla, në hapësirat e parqeve kombëtare, dhe zonat e mbrojtura me ligj, ku është rreptësishtë e ndaluar; pa dokumentacion të kompletuar ligjor dhe pa u konsultuar të gjitha palët e interesit; që shkatërrojnë florën dhe faunën, devijojnë lumenjtë, reduktojnë dhe rrezikojnë furnizimin e popullatës me ujë, e shumë të tjera.
Peticioni nis zyrtarisht në orën 12:00 në sheshin Skënderbeu. Mbledhja e nënshkrimeve do të zgjasë dy (2) javë dhe do të bëhet në shtatë komunat e mëdha të Kosovës përfshi edhe komunat përreth.
Organizatat partenere në komunat e poshtëshënuara do të kenë pika të vendosjes për mbledhje të nënshkrimeve:
1. Instituti Demokratik i Kosovës – Prishtinë
2. EC Ma Ndryshe – Prizren
3. Iniciativa për Progres INPO – Ferizaj – Gjilan – Shtërpce
4. REC Kosova – Mitrovicë
5. ERA Group – Pejë
6. KADC – Gjakovë
7. Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit – GJETHI – Kaçanik – Hani i Elezit
8. Aktiv – Veri të Mitrovicës