Aktorja e famshme Jennifer Aniston mori mirënjohje për punën e saj humanitare në ndarjen e çmimeve Artists Inspiration Award.
Ishte ky rasti ideal që çmimin t’ia japin shoqet më të mira nga ekrani televiziv, Courteney Cox dhe Lisa Kudrow.
Në prag të ceremonisë së ndarjes së çmimeve, shoqet e famshme pozuan së bashku në tapetin e kuq, ndërsa për rastin në fjalë, Aniston 50-vjeçare e zgjodhi një fustan mëndafshi vintage me shtypje bardhë e zi, të krijuar nga stilisti John Galliano, shkruan KOHA Ditore.
“Ne nuk jemi të vetmet që e dimë se Jennifer është një person i mahnitshëm. Të gjithë e duam sepse ajo është e sinqertë, rrezaton ngrohtësi, gëzim, humor dhe dashuri”, tha Cox.
Pas përmendjes së arritjeve të saj, aktoret i uruan mirëseardhje në skenë shoqes së dashur dhe zemërgjerë e cila e mbajti një fjalim shumë emocional.
Aniston, Cox dhe Kudrow i luajtën personazhet Rachel Green, Monica Geller dhe Phoebe Buffay, gjatë periudhës nga viti 1994 deri në vitin 2004, ndërsa pas përfundimit të xhirimeve ato mbetën shoqe. Megjithatë, vëmendjen më të madhe e nxiti ribashkimi i kohëve të fundit i gjashtëshes së famshme, të cilin e përjetësoi Jennifer Aniston. Selfien legjendar me gjashtë miqtë Aniston e postoi si të parin në profilin e sapohapur në Instagram, i cili theu rekord për numrin e ndjekësve në një afat të shkurtër.