Shormaz: Në protestën studentore u infiltruan rusofilët dhe ndryshoi narrativa

Prishtinë | 04 Kor 2025 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Që nga fillimi i protestave studentore në Serbi – nga mënyra si u organizuan dhe si u mbajtën, deri te vetë natyra e kërkesave të paraqitura – ishte e qartë se ato përfaqësonin një manifestim të revoltës qytetare dhe mbartnin një frymë lirie! Këto protesta dhe kërkesat e tyre nuk futën në panik vetëm radhët e Vuçiqit, por e tmerruan edhe personalisht atë! Ai u përpoq me çdo mënyrë t’i qetësonte. Blejti kohë, korruptoi studentët me përfitime të ndryshme në fakultete apo me të ashtuquajturat ‘kredi studentore’, përpiqej t’i mashtronte duke përmbushur pjesërisht kushtet e tyre – gjithnjë deri në kufirin e pranueshëm për të, që ai dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt të mos mbaheshin përgjegjës institucionalisht për shembjen e mbulesës në Novi Sad dhe vdekjen e 16 vetave.

Studentët filluan marshime nëpër Serbi dhe e zgjuan popullin e fjetur, ngritën energjinë dhe ringjallën shpresën! Pastaj erdhën lëvizje brilante: fillimisht marshimi me biçikleta drejt Strasburgut, pastaj maratona deri në Bruksel! Pikërisht atëherë nisën edhe problemet! Edhe më herët ishin vërejtur individë që sillnin në protesta flamuj me mbishkrime të Vuçiqit “nuk ka dorëzim”, pastaj variante të ndryshme të flamujve rusë, ndërsa kushdo që shfaqte flamurin e BE-së, sulmohej fizikisht!

Megjithatë, pas qëndrimit të qartë të BE-së se “kërkesat e studentëve ndaj qeverisë janë identike me ato që edhe vetë BE-ja kërkon nga Serbia”, u vu në lëvizje ajo për të cilën kisha paralajmëruar që në kohën kur shfaqjet pro-ruse në protesta ishin ende të shpërndara dhe sporadike. Moska tashmë nuk kishte më besim në aftësinë e Vuçiqit për të ndalur protestat dhe nisi procesin e marrjes së tyre nën kontroll. Fillimisht u shtua numri i rusofilëve të infiltruar në aktivitetet e përditshme; tubimet filluan të mbuloheshin me flamujt e bardhë të Vrangelit, dhe nisi ndryshimi i narrativës!

Sërish u ringjall tema e litiumit, ndërsa Vuçiqi, në vend që të përshkruhej si autokrat dhe hajdut, filloi të etiketohej si tradhtar i Kosovës! Pas kërkesave për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, nga narrativa e studentëve filluan të zhdukeshin viktimat e shembjes së mbulesës, duart e përgjakura të Vuçiqit, mosfunksionimi i institucioneve… temat kryesore u bënë Kosova, serbët në rajon, litiumi, skllavërimi i Serbisë nga BE-ja…

Në këtë atmosferë, “Studentët në bllokadë” shpallin miting për Ditën e Vidovdanit dhe nisin thirrje mitomane për pjesëmarrje, që të shihet kush është i vërtetë dhe kush është tradhtar – nënat lindin sërish Obiliq, por gjithnjë shfaqet edhe ndonjë Brankoviq… dhe natyrisht pason distancimi nga BE-ja, ndërsa përhapet marrëzia e neutralitetit!

Vidovdani ka ardhur, njerëzit janë mbledhur… Një numër i madh njerëzish, rreth 150 mijë, që është një shifër shumë e madhe po të kemi parasysh se shumë u zhgënjyen pas 15 marsit, disa të tjerë u demoralizuan nga ky mitomanizim, dhe ndërkohë kanë filluar pushimet verore. Mesazhet duhej të thuheshin nga podiumi – dhe pikërisht kjo ishte pjesa më e keqe e kësaj dite!

Dy folës – rektori Dokic dhe legjenda Dejan Bodiroga – ishin në një frekuencë normale: dhanë mbështetje për studentët, kërkuan zgjedhje të jashtëzakonshme, folën për një Serbi demokratike. Megjithatë, në skenë del një student i zhurmshëm, me një šajkača në kokë, që fillon të ulërasë për betimin kosovar, për humbjen në tokë dhe fitoren në qiell… Në shekullin XXI, studentët vendosën që nga mes 200 mijë të mençur të zgjedhin në podium një diletant që jeton ende në vitet ’90! A e morën ata këtë vendim? Nëse jo, kush e mori? Kush i ka marrë protestat në dorë?

Pas fjalimit të profesorit Lompar në podium, për mua gjithçka është e qartë: protestat studentore janë marrë nën kontroll nga shërbimet ruse! Mile “malazezi” Lompar, vetëm pak ditë pas mbështetjes së hapur publike që i dha kriminelit të luftës Radovan Karaxhiq, del në protestë dhe promovon termin “INTEGRALIZMI serb”, pa të cilin, sipas tij, nuk mund të arrihet as liria e brendshme e as ajo e jashtme për serbët!

Kjo, zonja dhe zotërinj të nderuar, është pikërisht ajo që quhet “bota serbe” e Vulin-it (lexo Vuçiqit), apo “Serbia e madhe” e Sheshelit! Në këtë skenar, ku mund ta gjejnë veten studentët nga Novi Pazari? Apo studentët hungarezë, shqiptarë, romë, vllehë…? Po pjesa liberale e studentëve që hartoi kërkesat dhe zhvilloi takime në Bruksel?!

Oferta e Lomparit përmes protestave studentore është vazhdimi i mjerimit, varfërisë, përplasjeve me fqinjët, padrejtësive, korrupsionit, krimit, dhe një izolimi edhe më të madh… sepse kjo është gjithçka që mund të sjellin “betimi kosovar”, “integralizmi serb” dhe zotërimi rus!

Naivë janë ata që mendojnë: “mjafton të heqim qafe Vuçiqin, pastaj me të tjerët do merremi lehtë”! Në një situatë të tillë, rusët do ta transferonin menjëherë gjithë infrastrukturën e tyre në Serbi te Lompari – mediat, redaktorët, gazetarët, pjesë të shërbimeve, policisë, huliganëve, grupeve kriminale…

A ka vërtet dikush që mendon seriozisht se “integralizmi serb” do t’i zhbllokonte negociatat me BE-në, do të sillte liri mediatike, zgjedhje të lira dhe shtet ligjor?!

Dy ditë pas protestës, Lavrov dhe Peskov e mbështesin zyrtarisht Vuçiqin, ndërsa ideologu i Putinit, Aleksandar Dugin, deklaron se Vuçiqi ka marrë fund dhe se serbët nuk e duan më! Ja kjo është Rusia – që nga koha e Potemkinit: gënjeshtër dhe mashtrim prej nga burojnë krime! Me njërën dorë i japin shuplakë Vuçiqit, ndërsa me tjetrën e përkëdhelin në kokë dhe e qetësojnë! Rusofilëve në Serbi – përfshirë edhe ata të infiltruar në protestat studentore – u dërgojnë mesazhin: “nuk keni pse të prisni që tanket tona të arrijnë në Danub, përmbysni këtë tradhtar dhe pastaj do ta riktheni lehtësisht Kosovën, do ta merrni Republikën Srpska dhe Malin e Zi!”

Vetëm idiotët mund të besojnë në këtë, ndërkohë që Putini – në të njëjtën kohë – përpiqet ta bindë Donald Trumpin se mund të zgjidhin lehtësisht çështjen e Donjetskut dhe Luhanskut, duke aplikuar vendimin e Gjykatës së Hagës për Kosovën – pra, ti e njeh Kosovën, unë do ta njoh pavarësinë e saj!

Megjithë dobësitë e përmendura, protesta e re studentore vazhdon të tregojë një qëndrueshmëri të madhe dhe aftësinë për të mobilizuar sërish masa të mëdha edhe pas plot shtatë muajsh. Kjo ndodh para së gjithash për shkak të lëvizjeve të gabuara të regjimit të Vuçiqit, i cili përballet me kundërshtarët e tij politikë përmes represionit dhe retorikës radikale, në vend që të ndërtojë një model gjithëpërfshirës për nisjen e një dialogu të gjerë shoqëror.

Kështu, pikërisht në ditën kur shpalli me arrogancë “fitoren” e tij, Vuçiqi përjetoi kthimin e protestave dhe tubimeve në bllokada masive dhe mosbindje civile – duke i dhënë protestës studentore një dinamikë dhe forcë të re, ndërkohë që regjimin e vendos përballë sfidave pothuajse të pazgjidhshme.

Fundi politik nuk është shpallur ende, por Vuçiqi gjithsesi do të rrëzohet! Atij i ka mbetur vetëm represioni! Nga jashtë, nuk do të marrë ndihmë – dhe në fakt, askush nga jashtë nuk mund ta ndihmojë më! Brenda vendit e ka humbur popullin – dhe ky është suksesi më i madh i studentëve: ata e kanë thyer frikën tek njerëzit!

Cila është zgjidhja për suksesin pas një Vidovdani që, sidoqoftë, rezultoi i pasuksesshëm? Së pari, nga radhët e tyre duhet të përjashtohen menjëherë të gjithë rusofilët dhe mitomanët – veçanërisht profesori Lompar! Së dyti, përfaqësuesit e studentëve duhet të ulen me sektorin civil dhe opozitën (si parlamentare ashtu edhe jo-parlamentare) dhe të bien dakord për hapat e ardhshëm për të arritur zgjedhje të jashtëzakonshme, si dhe për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it për zgjedhje të lira!

Nuk është fundi i botës – pas disa muajsh studentëve do t’u bashkohen edhe rreth 50.000 studentë të rinj (bruçoshë), të cilët kanë qenë tashmë aktivë në protesta si nxënës të shkollave të mesme, dhe që do t’ia vështirësojnë jetën edhe më shumë Vuçiqit!

Qëndrimi im dihet: menjëherë – dje, në fakt – anëtarësimi i Serbisë në BE dhe në NATO! Vetëm atëherë do të jemi vërtet të pavarur, të vetëqeverisur, sovranë, do të kemi një shoqëri demokratike, një mirëqenie ekonomike për çdo qytetar dhe për shtetin, liri, siguri dhe stabilitet – PAQE!

Të ngjashme