Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve ka hapur ekspozitën e përhershme të veshjeve në lokalet e Ansamblit.
Trupa artistike e ansamblit ka zhvilluar një defile, me kostume, përgjatë rrugës “Nënë Tereza” nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te sheshi “Ibrahim Rugova” dhe anasjelltas. Në fund të defileut grupi i valleve ekzekutuan një kolazh koreografik, në sheshin “Zahir Pajaziti”, më saktësisht në amfiteatrin përbri hotelit “Grand”.
Drejtori i këtij asambli, Shefqet Gjocaj, tha se pasi që sot është Dita Ndërkombëtarë e trashëgimisë vendore dhe monumenteve kanë vendosur që të krijojnë një mini galeri të veshjeve, raporton Ekonomia Online.
“Ansambli ‘Shota’ është një muze i gjallë lëviz kudo që lëviz, përveç performancave ai edhe ekspozon eksponate të veshjeve tona karakteristike, mirëpo ka qenë e nevojshme që edhe në lokalet e ansamblit të jetë një mini galeri për vizitorët që vijnë në ansambël ta shohin, kryesisht janë eksponate të vjetra të veshjeve si psh xhubleta, pastaj veshjet e mëhershme e nuseve allaturka, dhe natyrisht të gjitha këto janë me qëllim që të ruhen eksponatet e rralla edhe natyrisht të krijojmë një ambient më të mirë dhe vizitorët të kenë se çka të shohin përveç trofeve dhe elementeve tjera që janë aty”, ka thënë ai.
Kurse sa i përket asaj se a po kanë probleme si ansambël, Gjocaj tha se kanë telashe me buxhet.
“Konsideroj se ne si shtet i ri kemi shumë telashe, kem telashe edhe me legjislacion e sidomos me fonde, buxheti për trashëgimi dhe buxheti për kulturë në përgjithësi është i limituar dhe unë besoj shumë se me një buxhet më të mirë, më të konsoliduar për shkak se ne kemi shumë çka ti tregojmë publikut gjithandej kudo që shkojmë nëpër botë”, ka pohuar ai.
E, problemet që po kanë me buxhet kanë bërë siç thotë Gjocaj që Ansambli Shota mos të udhëtojë në shtetet e largëta për të qenë pjesëmarrës në festivale, por vetëm në vendet evropiane.
“Fatkeqësisht për shkak të buxhetit të limituar ne nuk mund të shkojmë psh në Amerikën Jugore ose dikund më larg, por kryesisht koncentrohemi në vendet e Evropës ku shkojmë me autobus. Unë konsideroj se dalë ngadalë për çdo vit nga pak po rritet buxheti dhe shpresoj dhe besoj shumë se vlerat e mirëfillta edhe materiale edhe shpirtërore të cilat i ka populli ynë duhet ti ruaj, ti promovojë për arsye se është aseti kryesor që ne e kemi. Ne nuk mund të lavdërohemi as me ekonomi të zhvilluar, as me teknologji informative por mund të lavdërohemi vetëm me këto vlera materiale e shpirtërore që i kem “, ka thënë ai.