Nën masat e mbrojtjes nga pandemia dhe përmes komunikimit në distancë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi i tij, Bahri Hyseni, ka mbajtur takimin e 186-të me radhë.
Sipas komunikatës së lëshuar nga KPK-ja, ky takim ka filluar me shqyrtimin e dy draftrregulloreve. Anëtaret e KPK-së, pas shqyrtimit, kanë miratuar Rregulloren për vlerësimin e performancës së prokurorëve dhe Rregulloren për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Po në këtë takim, nga KPK-ja është marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorive themelore të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit. Pas vendimit për shpalljen e zgjedhjeve është themeluar Komisioni Zgjedhor, i cili do të udhëhiqet nga Agron Beka, anëtar i KPK-së nga radhët e fakulteteve juridike.