Shpend Ahmeti vizitoi zjarrfikësit

Prishtinë | 04 Maj 2020 | 21:35 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, ka vizituar sot zjarrfikësit të cilët i ka përgëzuar punën e tyre të palodhshme në kohën ku vendi ynë po përballet me pandeminë COVID-19.

Ai gjatë kësaj vizite ishte i shoqëruar nga drejtoresha për Shërbime Publike, Medina Braha dhe drejtori i Inspeksionit, Adonis Tahiri.

“Zjarrfikësit tanë gjatë kësaj periudhe kohore ishin të jashtëzakonshëm në detyrën e tyre kundër virusit COVID-19. Gjatë takimit është diskutuar dhe dakorduar për hapat e radhës që do t’i ndjekim bashkërisht, në mënyrë që zjarrfikësit të gëzojnë kushte edhe më të mira”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Me këtë rast është bërë e ditur se gjatë këtyre dy muajve ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar në gjithsej 550 raste.

Ndryshe, 4 Maji është ditë e shënuar e shërbimit të zjarrfikësve, ku shtetet e botës organizojnë aktivitete të ndryshme solemne, në shenjë të respektit për punën dhe sakrificat që bëjnë zjarrfikësit për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve në raste emergjente.

Në këtë ditë të shënuar ndërkombëtare në shtetet e tyre ku veprojnë, zjarrfikësit vizitohen nga institucionet dhe mekanizmat shtetërorë, duke i nderuar me mirënjohje, falënderime, por gjithashtu zjarrfikësit demonstrojnë shkatheshit profesionale që dëshmojnë gatishmërinë emergjente për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve në çdo moment.

Dita botërore e zjarrfikësve shënohet çdo 4 maj, e themeluar në vitin 1999 pas vdekjes së pesë zjarrfikësve në një zjarr në Australi.

Të ngjashme