Një muaj pas marrjes së vendimit për uljen e shpenzimeve për telefona nga zyrtarët qeveritarë Qeveria ka hartuar edhe Udhëzimin administrativ me të cilin shfuqizohet udhëzimi i vitit 2008, i nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi.
Vlerat e reja të lejuara për shpenzime në telefona fiks dhe mobilë në udhëzimin e ri që ka dalë në konsultim publik këtë javë janë më të vogla se që ishin deri tash. Udhëzimi do të jetë në konsultim publik deri më 8 qershor dhe pas komenteve pritet të nënshkruhet nga kryeministri. Hartimi i tij ishte paraparë në vendimin e Qeverisë për ulje të këtyre shpenzimeve që ishte marrë më 8 prill të këtij viti, raporton KOHA.
Në udhëzimin e ri kryeministri parashihet të ketë në dispozicion 150 euro në muaj për shërbimet e telefonit postpaid. Me udhëzimin e vjetër këto shpenzime ishin të pakufizuara. Zëvendëskryeministrat do të kenë të drejtë të shpenzojnë deri në 100 euro, me udhëzimin e kaluar kanë pasur 250.
do të kenë të drejtë të shpenzojnë deri në 70 euro, me udhëzimin e vjetër kanë pasur të drejtë të shpenzojnë deri në 250 euro. Zëvendësministrat, sekretari i Zyrës së Kryeministrit dhe shefi i kabinetit të kryeministrit do të kenë të drejtë që në këtë kategori të shpenzojnë deri në 50 euro ose 100 euro më pak sesa ka qenë e përcaktuar me udhëzimin paraprak.
Me këtë udhëzim është paraparë që të ulen edhe vlerat e mbushjeve të telefonave për zyrtarët qeveritarë. Sipas udhëzimit të ri, shefat e kabineteve të zëvendëskryeministrave dhe ministrave, këshilltarët politikë të zëvendëskryeministrave, këshilltarët politikë të ministrave, këshilltarët politikë të kryeministrit dhe këshilltarët politikë të zëvendësministrave do të kenë të drejtë deri në 30 euro në muaj mbushje të telefonit. Me udhëzimin e kaluar kanë pasur të drejtë deri në 70 euro.