Është arrestuar një person në pikën kufitare në Bërnjak, nën dyshimin për vepra penale, falsifikim i dokumenteve dhe pjesëmarrja ose organizim i grupit kriminal
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është ndaluar për 48 orë V.E., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘Falsifikim i dokumenteve’, dhe ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal’. I dyshuarit V.E., është arrestuar të shtunën në mbrëmje në pikën kufitare në Bërnjak, në kuadër të hetimeve të zgjeruara lidhur me rastin e muajit janar të këtij viti, kur autoritetet zbuluan një labortaor të specializuar për falsifikim të dokumenteve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ai dyshohet se ka shpërndarë dokumente në 50 shtete të botës.
“Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ekziston dyshimi i bazuar se, nga një periudhë e pacaktuar kohore e deri më 24 janar të vitit 2025, V.E., në bashkëpunim edhe me të dyshuar të tjerë, duke vepruar si grup i organizuar kanë prodhuar dhe shpërndarë dokumenteve tё falsifikuara tё rreth 50 (pesëdhjetë) shteteve tё botës. Prokuroria Speciale, në bashkëpunim dhe koordinim me hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedures Penale”, thuhet më tej në njoftim