Së paku tre persona raportohet të kenë vdekur dhe rreth 80 të tjerë të jenë lënduar, pasi ushtarët hapën zjarr në drejtim të protestuesve që po e kundërshtojnë puçin ushtarak në Sudan.
Protestuesit dolën rrugëve, pasi forcat e armatosura e larguan pushtetin civil, arrestuan udhëheqës politikë dhe e shpallën gjendjen emergjente të hënën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Raportohet se ushtarët kanë shkuar shtëpi më shtëpi në kryeqytetin Khartoum për t’i arrestuar organizatorët e protestave.
Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar puçin në Sudan. Shtetet e Bashkuara ia bllokuan këtij shteti 700 milionë dollarë ndihma.
Udhëheqësi i puçit, Gjeneral Abdel Fattah Burhan, e fajësoi luftën politike për veprimin ushtarak. Udhëheqësit civilë dhe drejtuesit e ushtrisë kanë pasur mosmarrëveshje që nga koha kur u rrëzua nga pushteti ish-presidenti Omar al-Bashir, rreth dy vjet më parë.
Të hënën në mbrëmje, një numër i madh i protestuesve dolën rrugëve të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të Sudanit për ta kërkuar kthimin e pushtetit civil. Një protestues i plagosur u tha gazetarëve se ushtria e ka qëlluar në këmbë afër komandës qendrore.