Një bombë ka shpërthyer mbrëmjen e së shtunës rreth orës 21:15, brenda një automjeti të parkuar pranë gjykatës në Londonderry të Irlandës së Veriut.
Shpërthimi, që tronditi zonën përreth rrugës “Bishop”, ndodhi vetëm pak pasi policia kishte marrë një telefonatë paralajmëruese.
Oficerët kishin shkuar ndërkohë në vendngjarje dhe ishin atje kur ndodhi shpërthimi, por fatmirësisht askush nuk raportohet të jetë plagosur.
Policia nisi evakuimin e ndërtesave përreth, përfshi këtu edhe një hotel, e gjatë kësaj kohe ndodhi shpërhtimi. Në vendngjarje mbetet ende kordoni policor, ndërsa politikanë lokalë janë shprehur për BBC-në se automjeti ishte vjedhur në Derry, pak kohë përpara se të shpërthente.
Një dëshmitar rrëfeu gjithashtu se ajo çfarë kishte mbetur nga automjeti vijonte të digjeshe në mes të rrugës, në momentin që foli.
“Zona është rrethuar nga policia, teksa oficerët po evakuojnë ndërtesa të tjera në rrugën Bishop. Deri më tani, askush nuk është lënduar”, shkroi në Facebook shërbimi policor i Irlandës së Veriut.
Gjithsesi, ata paralajmëruan se pranë vendit të shpërthimit ndodhej një tjetër automjet, për të cilin “nuk ndiheshin rehat”, ndaj vijuan evakuimin e zonës dhe u thanë banorëve të përgatiteshin për të lënë shtëpitë.
Deri më tani, askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për këtë ngjarje, edhe pse disa zëra e kanë konsideruar si sulm terrorist.