Të paktën 17 persona kanë vdekur nga një shpërthim i madh afër një qyteze minerare në perëndim të Ganës, thanë zyrtarët e këtij shteti afrikan.
Policia thotë se një automjet që po transportonte lëndë shpërthyese për mihje u përplas me një motoçikletë afër qytezës Bogoso, shkruan BBC.
Pamjet e publikuara në rrjete sociale shfaqën shtëllungë të madhe të tymit të zi mbi ndërtesa të shkatërruara dhe rrënoja përderisa banorët po bëjnë thirrje për ndihmë.
Ministri i Informacionit, Kojo Oppong Nkrumah, tha se të paktën 59 persona kanë pësuar lëndime dhe disa prej tyre janë në gjendje kritike.
Presidenti i Ganës, Nana Akufo-Addo, tha se ushtria është bërë pjesë e përpjekjeve urgjente, ndërsa agjencia për menaxhimin e fatkeqësive është ngarkuar me detyrën që t’u sjellë “lehtësim të shpejtë” banorëve.
Policia u bëri thirrje qytezave të zonës që t’i hapin shkollat, kishat dhe objektet tjera për t’i strehuar personat që kanë mbijetuar pas shpërthimit.