Një bombolë e gazit, e cila ka shpërthyer në një qendër tregtare në Ferizaj, ka lënë 42 persona të lënduar, raporton Ekonomia Online.
Shpërthimi ka ndodhur sot pasdite në restorantin “Steak House” në qendrën tregtare ”The Village Shopping & Fun”.
Sikur shihet në pamjet e siguruara nga Ekonomia Online, shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm saqë ka thyer dhe xhamat e ndërtesave përreth.
Disa ekipe të ndihmës së parë i kanë bartur të plagosurit në Emergjencën e Ferizajt.
Ndërsa, 15 nga të lënduarit janë sjellë për trajtim në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare.
Mjeku në Emergjencën e QKUK-së, Agron Çitaku, tha se 5 nga të pranuarit janë në sallën e operacionit dhe 4 të tjerë po presin për të hyrë në operim, kurse një është dërguar në Klinikën e Ortopedisë.
Ai ka thënë se gjendja e tyre është “mesatarisht e rëndë”.