Drilon Mulaj ka shënuar shtatë prej 21 golave të skuadrës Neuchatel Xamax. Skuadra që bënë gara në Kategorinë e Dytë të Zvicrës, Xamax, të shtunën mposhti skuadrën e kategorisë së fundit të Zvicrës (9), Union-Sportive Montfaucon me rezultatin e thellë 21:0, në kuadër të raundit të parë të Kupës së Zvicrës në futboll. Fitorja e Xamaxit është edhe rekorde sa i takon futbollit zviceran.
Rekordi për fitoren më të thellë ishte arritur 70 vjet më parë, në vitin 1947, kur skuadra NLA-Klub Grenchen e kishte mposhtur me shifrat 18:0 skuadrën e Tavannes. Por ai rekord u shfuqizua të shtunën nga Xamaxi dhe Mulaj dha kontributin e tij të madh.
Mesfushori ofensiv i lindur në Deçan, golat i shënoi në minutat 17, 25, 34, 38, 64, 71 dhe 86. Një gol e shënoi edhe sulmuesi tjetër kosovar, Samir Ramizi (35′). Si Mulaj ashtu edhe Ramizi kontribuuan edhe me nga tri asistime.
Në futbollin e Zvicrës numri i lojtarëve shqiptarë është duke u rritur vazhdimisht. Një dëshmi për këtë është edhe numri i madh i golave që futbollistët shqiptarë realizuan në ndeshjet e rrethit të parë të Kupës, të luajtura të shtunën e të dielën.
Futbollisti 18-vjeçar, Mulaj, ndjehet i lumtur që i ka ndihmuar ekipit të tij të shënojë një rekord të ri në futbollin e Zvicrës.