Prej disa javësh Shqipëria po regjistron rritje të numrit të të infektuarve me Covid-19. Në këtë situatë Ministria e Shëndetësisë ka apeluar për respektimin e një sërë rregullash në plazhe, për të shmangur infeksionet dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet çdo sipërmarrje turistike dhe të gjithe pushuesve të zbatojnë protokollin e masave anti-Covid19 përgjatë gjithë sezonit.
Stafi i shërbimit, në kontaktet me pushuesit / vizitorët duhet të mbajë në mënyrë të domosdoshme maskat mbrojtëse. Në strukturat akomoduese duhet të ruhet distancimi fizik jo më pak se 1.5 metër. Të zbatohen me rigorozitet masat e pastrimit dhe dezinfektimit në të gjitha zonat bufe, bare, restorante, kuzhina në të gjitha strukturat akomoduese. Të tregohet kujdes në përdorimin e ashensorit në strukturat akomoduese që e disponojnë atë, duke respektuar masat e distancimit dhe të higjienës.
Të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm në mënyrë periodike. Të respektohet hapësira midis çadrave dhe ndenjëseve të pushuesve në distancë jo më pak se 3.5 m dhe të evitohen grumbullimet shoqërore.
Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 për këshillim psikologjik, apo informacion për Covid19. Nëse dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.