Me autorizimin e të parit të Ferizajt, Agim Aliu me qëllim krijimin e mundësisë për zhvillimin e projekteve të plota infrastrukturore, që nga orët e hershme të mëngjesit të sotëm, drejtori i Drejtorisë së Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Sabri Murseli bashkë me drejtorin e Infrastrukturës, Arbër Bytyqi dhe me ekspertë nga kjo drejtori kanë mbikëqyrur rrënimin e lokaleve afariste dhe shtëpisë së banimit në rrugën “Gursel e Bajram Sylejmani”, hapësirë kjo e cila është futur në proces shpronësimi dhe si e tillë po merret me qëllim të zhvillimit të projektit infrastrukturor – asfaltimit të rrugës në këtë zonë.
Përkitazi me këtë hap, Komuna e Ferizajt, ka zhvilluar të gjitha procedurat e nevojshme të shpronësimit. Kjo hapësirë është vlerësuar e nevojshme nga autoritetet lokale me qëllim që të zbatohet në tërësi projekti i asfaltimit të kësaj rruge, gjë që deri më tani, është parë si pengesë dhe pamundësi që banorëve të kësaj zonë t’i krijohen kushte të volitshme dhe hapësira me standardet më të larta infrastrukturore. Përkitazi me këtë, shumë shpejt, pritet të nis edhe projekti i asfaltimit të kësaj rruge, që paraqet një nga arteriet kryesore të shkarkimit të komunikacionit në zonën qendër.