Shqetësimet e SHBA dhe BE për ndalimin e dinarit, BQK del me 20 sqarime për Rregulloren e re

Prishtinë | 03 Shk 2024 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Departamenti Amerikan i Shtetit, Bashkimi Evropianë e ambasadat e QUINT në Kosovë kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për çështjen e Rregullores së Re të BQK-së që ndalon përdorimin e dinarit, duke thënë se kjo do të ketë ndikim tek serbët lokalë që marrin përkrahje financaire nga Serbia, shkruan Gazeta Express.

Në momentin kur u bë e ditur që Rregullorja do të futet në fuqi nga data 1 shkurt, kërkesat e tyre kanë qenë që të shtyhet një vendim i tillë dhe të gjendet një zgjidhje praktike në Bruksel në kuadër të Dialogut.

Megjithatë pavarësisht presionit të madh ndërkombëtar, Qeveria ka vendosur të ecë përpara me implementim, duke thënë se në fillim do të ketë një periudhë tranzitore, ku do të ketë më shumë informim dhe jo qasje ndëshkuese.

Vendimin e Qeverisë për të mos u zmbrapsur me implementimin e Rregullores s’e kanë pritur mirë Uashingtoni, Brukseli e Parisi zyrtar. Departamenti Amerikan i shtetit ka thënë se veprime të tilla pa koordinim të Kosovës e pengojnë SHBA-në që të lobojë për Kosovën në arenën ndërkombëtare, Brukseli ka kërkuar gjetje të zgjidhjes përmes Dialogut, ndërkohë Parisi ka kërkuar suspendim të menjëhershëm të vendimit. Të gjithë kanë kërkuar krijimin e një hapësirë që do t’iu mundësonte serbëve lokalë ta përballojnë më lehtë një vendim të tillë.

Duke parë ashpërsinë në qëndrime të ndërkombëtarëve dhe kritikës kryesore se vendimi po merret pa koordinim dhe se një vendim i tillë do të ndikojë jetën e serbëve lokalë, Banka Qendrore e Kosovës ka dalë me një artikulli sqarues për çështjen e Rregullores së re.

BQK ka sqaruar se të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës mund të pranojnë ndihmat e tyre financiare, pensionet apo pagat nga Serbia në llogaritë e tyre bankare në euro përmes bankave që operojnë në Kosovë e që janë të licencuara nga BQK.

Banka Qendrore në këtë artikull sqarues ka thënë se pasi t’i pranojnë këto të ardhura në euro, secilit qytetar që mund t’i nevojiten në dinarë atëherë mund t’i kthejë ato në këmbimore të licencuar.

Rregullorja përmban gjithësej 20 sqarime dhe është publikuar në tri gjuhë, shqip, serbisht dhe në gjuhën angleze.

Të ngjashme