Shqetësimi kryesor i amerikanëve, frika nga COVID-19

Prishtinë | 14 Pri 2020 | 18:01 | Nga Ekonomia Online

Përhapja e sëmundjeve infektive tashmë kryeson listën e kërcënimeve kryesore me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara, nxitur kryesisht nga numrat në rritje që koronavirusi po i shkakton vendit dhe botës. Sipas një studimi të ri të qendrës kërkimore “Pew” 79 për qind e amerikanëve thonë se sëmundjet infektive përbëjnë një kërcënim të madh, krahasuar me 73 për qind që identifikojnë terrorizmin dhe përhapjen e armëve bërthamore dhe 72 për qind sulmet kibernetike. Sondazhi i kryer me telefon me 1 mijë vetë përgjatë muajit mars, zbuloi se amerikanët kishin më shumë të ngjarë të emërtonin përhapjen e sëmundjeve infektive si një kërcënim të madh pasi SHBA-ja shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare më 13 mars, 84 për qind nga 73 para shpalljes. Marzha e gabimit të sondazhit llogaritet në +/- 3.7 për qind.

Të martën në SHBA janë regjistruar 582 mijë të prekur nga koronavirusi dhe mbi 23 mijë të vdekur.

Të dielën, eksperti më i lartë i sëmundjes infektive Anthony Fauci tha “ndërsa disa pjesë të vendit mund t’u japin fund urdhrave për qëndrim në shtëpi të popullatës e t’i kthehen normalitet duke filluar nga muaji tjetër, ekziston një “rrezik i jashtëzakonshëm” nëse vendi lehtëson kufizimet shumë shpejt, raporton VOA.

“Ne e dimë që do të ketë njerëz që do të infektohen. Ky është realiteti”, tha ai.

Presidenti Donald Trump shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare muajin e kaluar, kur vendi kishte rreth 1,700 raste me koronavirus, pas presionin të demokratëve të opozitës për të ndërmarrë veprime.

“Ne do ta mposhtim këtë kërcënim” deklaronte ai në atë kohë. Shpallja e gjendjes së emergjencës çliroi me dhjetëra miliarda dollarë fonde, por numri i të infektuarve vazhdon të rritet, së bashku me shqetësimet për gjendjen e ekonomisë. Sipas gjetjeve të ‘Pew’, 60 për qind e amerikanëve e shohin gjendjen e ekonomisë botërore si një kërcënim të madh, krahasuar me 48 për qind që llogariteshin përpara shpalljes së emergjencës. Ndërsa shqetësimet janë rritur përgjithësisht në mesin e popullatës sipas sondazhit shqetësimet ishin më të larta në mesin e amerikanëve më pak të arsimuar e me të ardhura më të ulëta.

Të hënën Presidenti Trump shkruante në Twiter se administrata e tij po “punon ngushtë me guvernatorët” për të përcaktuar se kur të nisë lehtësimi i kufizimeve ndaj bizneseve dhe industrisë së udhëtimeve.

Të ngjashme