Shqetësuese shtimi i lindjeve cezariane në Kosovë

Prishtinë | 07 Dhj 2017 | 12:10 | Nga

Profesionistë shëndetësorë, politikë-bërës si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, diskutuan sot për shkallën në rritje të lindjeve me prerje cezariane në Kosovë, në një tryezë diskutimi organizuar nga “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” dhe “Solidar Suisse”.

Në dekadën e fundit, lindjet cezariane kanë shënuar rritje të vazhdueshme në Kosovë, ku shkalla e përgjithshme është rritur nga 7.5 në 27.3 për qind në periudhën 2000-2015, duke tejkaluar kështu rekomandimet ndërkombëtare. Kjo gjendje vjen si pasojë e faktorëve të shumtë, përfshirë këtu specifikat e sistemit shëndetësor dhe normat shoqërore dhe kulturore.

Sejdullah Hoxha, gjinekolog, theksoi se “krahasuar me periudhën e para luftës, tani roli i mamive në edukimin e pacientit është zhveshur nga funksioni dhe në shumë raste, përshkak të mungesës së informatës pacienti insiston në lindje me prerje cezariane.”

Hoxha njëkohësisht theksoi se prerjet cezariane do të mund të zvogëlohen në rast se punohet në fuqizimin e bashkëpunimit në mes të Shoqatës së Gjinekologëve, Shoqatës së Mamive, si dhe asaj të Anesteziologëve.

Magbule Elezi, kryetare e Shoqatës së Mamive, poashtu u shpreh se duhet të punohet në ndërtimin e sistemeve që fuqizojnë komunikimin mami-nënë, pasi që në shumë raste ka mungesë të informatave të sakta për llojin e lindjes.

Ilir Hoxha, nga Solidar Suisse, njëherit edhe hulumtues i faktorëve sistemik që ndikojnë në procedura klinike, listoi se faktorët që po ndikojnë në rritje të kësaj procedure klinike janë statusi spitalor, posedimi i sigurimit privat shëndetësor të pacientit, karakteristikat shoqërore e ekonomike të pacientit, asimetria e informatave, si dhe resurset spitalore. “Hulumtimet tregojnë se statuti privat i spitalit ndikon në rritje të prerjeve cezariane, e poashtu edhe posedimi i sigurimit shëndetësor privat të pacientit.”

Ilir Hoxha përfundoi prezantimin e tij duke potencuar se procedurat e panevojshme klinike, siç janë prerjet cezariane, e që janë më të kushtueshme, e ngarkojnë financiarisht sistemin shëndetësor përderisa këto resurse do të mund të përdoreshin në avancimin e shërbimeve të tjera shëndetësore.

Sami Uka, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë – OBSH, foli mbi rëndësinë e standardizimit të kujdesit shëndetësor përmes adaptimit dhe aplikimit të udhërrëfyesve dhe protokoleve klinike. Uka poashtu rekomandoi adaptimin e një instrumenti të zhvilluar nga OBSH në matjen e saktë dhe transparente të monitorimit të protokoleve, i rekomanduar po ashtu tek Ministria e Shëndetësisë.

Agron Bytyqi, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, përmendi disa nga kategoritë e ankesave të pacientëve, ku ndër to theksoi shërbimet e vonuara, referimet nga institucionet publike në private, si dhe komunikimi i mangët mjek-pacient. Ai poashtu theksoi edhe komercializimin e prerjeve cezariane nga spitalet private që ofrojnë incentiva për gratë dhe vajzat dhe ndikojnë në rritjen e preferencës së pacientit.

Lindjet përmes prerjes cezariane përfshijnë procedurë kirurgjike me rreziqe dhe pasoja afatshkurtër dhe afat-gjatë për nënën dhe fëmijën, sic janë komplikimet e mundshme në procedurën kirurgjike, pranimin e fëmijës në Njësinë për Kujdesin Intensiv Neonatal, si dhe shpenzime më të mëdha financiare në krahasim me lindjen normale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme