E programuar për të dielën në orën 18:00 ndeshja Shqipëri-Angli rrezikon të luhet për shkak se Policia e Shtetit nuk merr përsipër marrjen e masave për organizimin e ndeshjes. Shkak është ndërtimi i strukturave të hekurit dhe betonit nga subjektet tregtare rreth stadiumit, çfarë ka sjellë edhe bllokimin e hyrjeve të tribunave, çka sipas policisë cenon standartet e sigurisë.
FSHF para disa ditësh kishte kërkuar lirimin e hapësirave, por Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nuk ka marrë asnjë masë, sikurse edhe Inspektoriati Urbanistik Vendor i Bashkisë Tiranë. Në këto kushte vihet në rrezik zhvillimi i duelit të Shqipërisë me Anglinë.
REAGIMI I FSHF – “Sot në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një shkresë, me numër protokolli 2877, e datës 23.03.2021, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me firmën e Drejtuesit të Parë, Rebani Jaupi, e cila thekson se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nuk garantojnë marrjen e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli, në datë 28 Mars 2021, ora 18:00.
Gjendur përballë situatës ku autoritetet shtetërore nuk kanë reaguar pas kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit, të datës 17.03.2021, me numër protokolli 538, drejtuar Znj. Dallëndyshe Bici, Drejtuese e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Z. Mariglen Qato, Drejtues i Inspektoriatit Urbanistik Vendor Bashkisë Tiranë, për lirimin e hapësirave në perimetrin e Stadiumit Kombëtar “Air Albania”, kërkojmë reagim urgjent të këtyre strukturave.
Anulimi i ndeshjes Shqipëri-Angli e parashikuar për t’u luajtur në “Air Albania Stadium”, do të kishte pasoja katastrofike për imazhin e vendit tonë, ekipin Kombëtar dhe në përgjithësi për futbollin shqiptar”.