Shqipëria bëhet gati për të dërguar trupa në Gazë

Prishtinë | 15 Maj 2026 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria po përgatitet për t’u angazhuar në Rripin e Gazës, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi tha në një konferencë për mediat në Tiranë se një skuadër shqiptare ka parë situatën në terren.

“Në kuadër të angazhimit në Bordin e Paqes, Shqipëria ka marrë masa për shqyrtimin e situatës në Gaza. Rripi i Gazës është nën sigurinë e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit [IDF] dhe çdo lloj inspektimi trupash atje bëhet përmes Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese dhe ushtrisë izraelite. Kemi dërguar një skuadër për të parë nga afër vendndodhjen dhe situatën në terren, që të kuptojmë se ku dhe si mund të vendosemi”, u shpreh ai.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Rripin e Gazës.

Nufi bëri të ditur se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka përgatitur planin konkret që pritet të zhvillohet në disa nivele dhe faza sa i përket angazhimit të Shqipërisë në Gazë, por nuk zbuloi më shumë rreth tij.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Arben Kingji, tha se aktualisht Shqipëria është në fazën e procedimit dhe hartimit të praktikës dhe dokumenteve ligjore për dërgimin e trupave në mision.

“Shtabi i Përgjithshëm po bën vlerësimin e saktë në lidhje me misionin, detyrat, sigurinë e personelit, rregullat e angazhimit dhe mbështetjen logjistike. Kontingjenti i parë shqiptar që mund të dislokohet në Gazë do të jetë pjesë e shtabit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, ndërsa më pas do të shqyrtohet mundësia e një kontributi më të gjerë me trupa”, u shpreh Kingji.

Në fillim të majit u bë e ditur se një ekip ushtarësh të Kosovës është dërguar në Gazë, për të bërë vlerësimin e vendit ku do të veprojë si pjesë e misionit paqeruajtës.

Ministri Nufi theksoi se Shqipëria mbetet një aleate e palëkundur e NATO-s dhe një partnere aktive në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Duke folur për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë – shtete që kanë nënshkruar një deklaratë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes vitin e kaluar – po hyn në një fazë më konkrete, me zhvillimin e tre stërvitjeve të përbashkëta ushtarake gjatë këtij viti.

“Dy stërvitje do të zhvillohen në Kroaci ku jemi në fazën e planifikimit, kemi dhënë dakordësinë për t’u zhvilluar stërvitjet. Po kështu, një stërvitje do të zhvillohet në Shqipëri. Nuk do të jenë vetëm tre shtete pjesëmarrëse [Shqipëri-Kosovë-Kroaci], por do të ketë edhe shtete të tjera nga NATO-ja, qoftë edhe shtete partnere me të cilat bashkëpunojmë”, tha Kingji.

NATO për paktin e mbrojtjes të Kosovës: Shqipëria dhe Kroacia kontribuojnë në stabilitetin rajonal

Bashkëpunimin mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit, Serbia e sheh si aleancë kundër serbëve dhe Serbisë – pretendim që është hedhur poshtë nga shtetet nënshkruese të deklaratës për bashkëpunim.

Po ashtu, autoritetet e mbrojtjes bënë të ditur se Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet për organizimin e samitit të NATO-s që do të mbahet vitin e ardhshëm në Tiranë.

“Kemi ngritur një task-forcë për zhvillimin e samitit të NATO-s. Nuk e kemi ende të përcaktuar vendndodhjen e samitit, por NATO merr masa të jashtëzakonshme sigurie për organizimin e këtyre ngjarjeve”, deklaroi ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi./REL

Të ngjashme