Shqipëria del kundër deklaratës së Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë | 27 Sht 2023 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria nuk ka dalë në mbështetje të deklaratës së BE për dialogun Kosovë-Serbi, të bërë nga shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrel më 19 shtator.

Kjo është hera e parë që Shqipëria nuk është në të njëjtën linjë me Bashkimin Evropian në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, raporton Euronews Albania duke u thirrur në burime.

Duke parë dhe zhvillimet e fundit, ku një efektiv i policisë së Kosovës u vra nga terroristët serbë, Shqipëria konsideron se qëndimet e BE-së në lidhje me dialogun, nuk janë të përshtatshme për situatën aktuale, pasi përgjegjësia nuk qëndron më tek Kosova.

Në deklaratën e datës 19, pas dështimit të dialogut, Borrel u shpreh: “BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim. Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha marrëveshjet e dialogut të kaluar. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”.

Pas takimit më 14 shtator, nga Bashkimi Evropian deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte i gatshëm të ecë përpara me dialogun, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Borrell pas takimit të 14 shtatorit deklaroi se Kurti kishte këmbëngulur që fillimisht të formalizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Kurti në Bruksel tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”. Kryeministri kosovar tha se në takim kishte paraqitur një plan të tij për zbatimin e marrëveshjes, por shtoi se ky propozim u refuzua nga blloku evropian dhe Beogradi.

Më 18 shtator, Kurti tha se i dërguari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, gjatë takimit në Bruksel “u pozicionua” kundër Kosovës, duke e akuzuar atë se e ka “deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të hollësishëm, të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj”.

Të ngjashme