Shqipëria dhe BE diskutojnë prioritetet e integrimit

Prishtinë | 30 Tet 2024 | 08:37 | Nga Ekonomia Online

Takimi i 18-të i Stabilizim-Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian zhvillohet sot në Tiranë.

Dita e dytë e diskutimeve përqendrohet në temat kyçe të agjendës evropiane të vendit.

Delegacionet e të dyja palëve do të trajtojnë tema të rëndësishme, përfshirë sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, lirinë e medias, si dhe standardet zgjedhore.

Gjithashtu, takimet do të përqendrohen në zhvillimin ekonomik dhe turizmin, duke përfshirë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal.

Një ditë më parë, dhjetë deputetë të Parlamentit Evropian kanë qenë të pranishëm në zhvillimin e takimit ku ministrja e shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka theksuar se reformat janë një prioritet kombëtar.

Pirdeni gjatë këtij takimi ka përfaqësuar Qeverinë shqiptare, duke mbajtur fjalën në emër të Këshillit të Ministrave.

Ajo përmendi se hapja e Grup-Kapitullit “Themeloret” përfaqëson një moment të rëndësishëm historik, duke shtuar se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për t’u bashkuar me familjen evropiane.

“Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian është më shumë se miratim i thjeshtë politikash; është një projekt kombëtar që na bashkon, një e ardhme e zgjedhur me dëshirë që qytetarët shqiptarë e mbështesin plotësisht dhe që lidh spektrin tonë politik, si pak kauza të tjera”, tha Pirdeni.

Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ka forcuar dialogun politik mes Shqipërisë dhe BE-së, duke krijuar një strukturë të përbashkët të dialogut përmes Këshillit të Stabilizim-Asociimit dhe strukturave të tij ndihmëse, me qëllimin për të siguruar një proces të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të integrimit të Shqipërisë në BE.

Këshilli i Stabilizim Asociimit mblidhet një herë në vit për të kryer një vlerësim të përgjithshëm të zbatimit të MSA-së dhe shqyrton çdo çështje të rëndësishme që lind në zbatimin e saj.

Gjithashtu, dialogu politik në nivel parlamentar ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së zhvillohet në kuadrin e MSA-së, e cila parashikon ngritjen e një Komiteti Parlamentar të Stabilizim-Asociimit të përbërë nga deputetë të Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Të ngjashme