Shqipëria do të mbështesë pranimin e Kosovës në Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), në emër të projektit të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë botën, shkruan sot Koha Ditore.
Kështu ka deklaruar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, në aktivitetin e organizuar të martën në Tiranë, për 60-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO.
“Në besojmë fort në një botë ku vendet takohen për të diskutuar mbi sfidat e përbashkëta, për të gjetur zgjidhje bashkërisht dhe për të projektuar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne. Pikërisht edhe për këtë arsye kemi mbështetur dhe do të vijojmë të mbështesim pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n, si një investim i njëmendtë për qytetarët e Kosovës, por edhe për forcimin e bashkëpunimin rajonal. Siç e ka treguar përvoja e viteve të fundit, bashkëpunimi efektiv rajonal e më gjerë në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, komunikimit, nuk mund të arrihet pa pjesëmarrje dhe kontribut gjithëpërfshirës”, ka deklaruar Bushati.