Shqipëria është vendi i dytë në Evropë me çmimet më të lira të hoteleve. Ky është rezultati i një renditjeje të përpiluar nga “Airbnb”, platforma më e madhe “online” për shërbimet e akomodimit.
Sipas renditjes, në Shqipëri një natë qëndrimi në hotel kushton mesatarisht 27 paund. Çmim më të lirë se ky, në Europë sipas “Airbnb” ka vetëm Maqedonia, ku një natë në hotel kushton 26 paund.
Thuajse të gjitha vendet me hotelet më të lira gjenden në Europën Lindore. Pas Shqipërisë renditen menjëherë Moldavia dhe Kosova, ku çmimi për të fjetur një natë llogaritet në 28 paund, ndërsa në Serbi 30 paund.
Por nëse në Lindje mund të flesh një natë me kosto rreth 30 paund, në Europën Perëndimore çmimet janë dy deri në 3 herë më të larta. Sipas renditjes, vendi më i shtrenjtë është Islanda, ku një natë në hotel paguhet 112 paund, ndërkohë që në shumicën e vendeve të tjera çmimi varion nga 50 deri në 85 paund.
Çmimet e hoteleve zënë një pjesë jo të vogël në koston totale të pushimeve. Veç tyre, Shqipëria ruan avantazh edhe në çmimet e ushqimeve, që sipas “Eurostat” kushtojnë të paktën 30 për qind më pak sesa mesatarja e BE-së.
Por, siç shprehen agjencitë turistike, edhe pse ka avantazhe në kosto, turizmi në Shqipëri vuan infrastrukturën e dobët, por edhe shërbimet.