Ajo që shumica e shqiptarëve shpresojnë të arrijnë përmes largimit nga vendi i tyre është shkollimi dhe një perspektivë më e mirë e jetës.
Prof. Russel King, Drejtor i Qendrës Sussex për Kërkime mbi emigracionin, të njohur në mbarë botën, i tha “Deutsche Welle”-s se emigrimi i shqiptarëve vazhdon prej afro 30 vitesh, por natyra e tij po ndryshon: nuk është më një dukuri e mbështetur në arsye ekonomike apo politike, është kthyer në një dukuri që po prek të gjitha shtresat e shoqërisë, grupmoshat, klasat e ndryshme shoqërore për nga të ardhurat.
Emigrimi potencial është rritur në vitin 2018 në 52% nga 44% që ka qenë në 2007. Studimi tregon se tendenca më e fundit është ajo e ikjes së njerëzve që kanë mbaruar universitetin, i rinisë së kualifikuar në nivel të lartë, që ka dëshirë të madhe të emigrojë, njofton TC.
“57% e grupmoshës 18- 40 vjeç synojnë të emigrojnë. 46% e atyre që nuk kanë emigruar asnjëherë synojnë të emigrojnë. 72% e emigrantëve të kthyer, pra e atyre që kanë qenë njëherë në emigracion, dëshirojnë të ikin përsëri”, thotë King.
Është e qartë, thekson ai, se që prej 1991 numri i shqiptarëve që ikin është shumë më i madh se numri i atyre që kthehen.