Shqipëria fuqizon promovimin e turizmit kulturor

Prishtinë | 28 Maj 2019 | 13:12 | Nga Ekonomia Online

Tiranë, 28 maj – Shqipëria tashmë është gati për sezonin veror, por s’janë lënë anash as monumentet. Në kuadër të fuqizimit të promovimit të tyre e të nxitjes së turizmit kulturor ka nisur restaurimi i tabelave informuese.

“Monumentet kanë vlera historike dhe kulturore dhe janë një atraksion interesant për vizitorët vendas e sidomos të huajt që shfaqin kuriozitet për të mësuar mbi rrënjët e historisë shqiptare”, kanë shkruar mediat shqiptare, shkruan sot Koha Ditore.

Kësisoj në kuadër të hapjes së sezonit turistik veror 2019 dhe në zbatim të politikave të Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë për promovimin e vlerave të kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Vlorë ka nisur një fushatë për rinovimin e tabelave informuese.

”Ditët e fundit DRKK ka vendosur tabela të reja aty ku është e nevojshme për krijimin e kushteve optimale për pritjen e vizitorëve vendas dhe të huaj në monumente”, shkruhet në njoftimin e autoriteteve përgjegjëse.

Këtë javë fokusi i punimeve ka qenë vendosja e tabelave të reja për vizitorët e huaj në Portin e Sarandës, vendosja e tabelave të reja dhe rinovimi i atyre ekzistuese në Parkun Arkeologjik të Orikut, në Manastirin e 40 Shenjtorëve në Sarandë dhe në Kishën e Marmiroit në Orikum.

“Të gjithë duhet të përkujdesen t’i mirëmbajnë këto tabela, pasi u ofrojnë shërbim shumë herë më të mirë turistëve, të cilët duan të njihen me historikun dhe vlerat e trashëgimisë sonë kulturore”, shkruhet në njoftim.

Sipas Drejtorisë Rajonale e Kulturës Kombëtare në Vlorë, kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore është një mision i përbashkët për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur edhe tek brezat e ardhshëm.

Të ngjashme