Kombëtarja e Shqipërisë do ta zhvilloj ndeshjen e pestë në kampanjën kualifikuese për Euro 2020.
Kuqezinjtë deri më tani kanë marrë dy fitore dhe dy humbje, derisa në takimin e pestë janë mysafir të kampionëve të botës Francës.
Me gjashtë pikë në katër ndeshjet e para të Grupit H të eliminatoreve të Euro 2020-ës, Kombëtarja Shqiptare vijon të ketë shpresa për një kualifikim në fazën finale të kompeticionit, por rruga drejt arritjes së madhe kalon nga Franca.
Pikërisht atje ku kuqezinjtë morën pjesë për herë të parë në një Evropian, në Francë, kuqezinjtë do të përballen me vendasit, në stadiumin “Siant Denis” të Parisit, me takimin që do të startojë në orën 20:45.
Trajneri Edi Reja ka grumbulluar futbollistët që gëzojnë formën më të mirë në këtë fillim kampionati, ndërsa në konferencën e sotme për shtyp u shfaq i qetë dhe theksoi se angazhimi maksimal dhe shmangia e gabimeve, janë receta e suksesit ndaj “Gjelave”.
Nga ana tjetër, Franca mban kreun e grupit me nëntë pikë, ndërsa sot trajneri Deschamps do të duhet të bëjë llogaritë edhe me disa mungesa të rëndësishme, siç janë ato të Kilyan Mbappe, Paul Pogba, Aymeric Laporte dhe N’Golo Kante, transmeton telegraf.
Megjithatë vendasit janë kampionët në fuqi të botës dhe në shtëpinë e tyre janë dukshëm favoritë përpos mungesave, por kuqezinjtë e Rejas janë të bindur të luftojnë në fushë, për t’ia lënë kësaj të fundit verdiktin final të takimit.
Vlen të theksohet se vetëm tri ditë më vonë Shqipëria do të përballet me Islandën në “Elbasan Arena”, një ndeshje ku 3 pikët janë detyrim për të shpresuar te kualifikimi, por si trajneri, ashtu edhe futbollistët janë shprehur se theksi mbetet te përballja e sotme me “gjelat” dhe se vetëm më vonë do të mendohet për kundërshtarin e radhës.