Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë në futboll, Eddy Reja ka paralajmëruar ndryshime në formacion për duelin eliminator të “Euro 2020” kundër Islandës. Në konferencën e mbajtur për shtyp të martën, Reja ka thënë se ndaj Islandës nuk do të paraqitet ekipi që të shtunën mbrëma pësoi humbje 4:1 në Paris nga Franca.
Reja tashmë ka zbuluar se në vend të kapitenit Mërgim Mavraj, në mbrojtje do të aktivizohet Kastriot Dermaku. Mavraj ishte kapiten ndaj Francës dhe pas ndeshjes u kritikua për paraqitje të dobët nga mediumet tiranase dhe analistë të shumtë. Shiritin e kapitenit ndaj Islandës do ta bartë mbrojtësi i krahut të djathtë, Elseid Hysaj, shkruan sot Koha Ditore.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Islandës zhvillohet të martën (sot) prej orës 20:45 në stadiumin “Elbasan Arena” dhe i takon Grupit H.
Reja ka insistuar se ndryshimet në formacion janë më se të nevojshme, pasi, sipas tij, përballja me Islandën vendos edhe fatin e kombëtares kuqezi.