Shqipëria merr kryesimin e OSBE-së, por vetë është në krizë

Prishtinë | 02 Jan 2020 | 08:03 | Nga Ekonomia Online

Në Vitin e Ri 2020, Shqipëria do të kryesojë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) – përkundër krizës politike në këtë vend. Tirana zyrtare po përballet me shumë sfida.

Shqipëria ka marrë kryesimin e OSBE me 1. janar nga Sllovakia. OSBE e ka selinë e vet në Vjenë, ndërsa pjesë e kësaj organizate janë 57 vende të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë. Detyrat e OSBE-së janë të shumta – prej vëzhgimit të zgjedhjeve, luftës për lirinë e shtypit, mbrojtjes së të drejtave të minorieteteve e deri tek misioni vëzhgues në lindje të Ukrainës dhe misione të tjera.

“Shqipëria është e vendosur që të japë kontributin e vet për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit”, ka deklaruar ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj, në korrik në Vjenë.

Kriza në Shqipëri

Ky vend ballkanik gjendet aktualisht në krizë, për shkak të mospajtimeve mes forcave të brendshme politike për shumë gjëra. Demokracia në Shqipëri nuk është stabilizuar tërësisht as 30 vjet pas rënies së regjimit komunist. Vet OSBE-ja ka një mision në Tiranë, për të vëzhguar gjendjen e demokracisë në këtë vend. Ky mision angazhohet për zbutjen e krizës dhe forcimin e institucioneve të vendit, në një situatë konflikti permanent mes pozitës dhe opozitës, ku disa institucione janë bllokuar me vite të tëra.

Kryeministri Edi Rama nga Partia Socialiste drejton aktualisht shumicën parlamentare, por Partia Demokratike ka djegur vitin e kaluar mandatet e saj në Parlament dhe e bojkoton institucionin më të lartë. Partia Demokratike ka bojkotuar edhe zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, për shkak të dyshimeve për manipulimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kjo parti ka kërkuar largimin e Ramës nga pushteti. Vëzhguesit thonë se Shqipëria ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Nëse shikojmë detyrat e OSBE-së dhe gjendjen në Shqipëri, atëherë kemi një situatë paradoksale: Shqipëria është edhe vet nën vëzhgimin e OSBE-së, ndërkohë që tani duhet ta drejtojë ate”, pohon publicisti i njohur nga Kosova Veton Surroi. (DW)

Të ngjashme