Komisioni për Ekonominë dhe Financat në Parlamentin e Shqipërisë ka miratuar aktin normativ të Qeverisë së këtij vendi për paketën financiare prej 96 milionë eurosh për përballimin e situatës emergjente, të krijuar nga pandemia COVID-19. Pandemia shëndetësore është goditja e dytë që pësoi ekonomia e Shqipërisë brenda disa muajve, pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019.
Kjo paketë financiare detajohet në: 52 milionë euro lehtësime dhe mbështetje për punëmarrësit dhe qytetarët e prekur nga pezullimi i punës; 20 milionë euro për sektorin e shëndetësisë për furnizimin me pajisje, medikamente, materiale e shërbime mjekësore dhe për mbështetjen e stafeve mjekësore; 16 milionë euro për mbështetje, ndihmë dhe furnizim me ushqime për familjet dhe pensionistët në nevojë; 8 milionë euro për fondin rezervë për shpenzime të paparashikuara, shkruan koha.
Krahas ndryshimeve të parashikuara në këtë akt normativ, Këshilli i Ministrave dhe Banka e Shqipërisë kanë ndërmarrë edhe masa të tjera në ndihmë të biznesit, si shtyrja e afatit të pagimit të kësteve të kredive dhe detyrimeve tatimore, shtyrja e afatit të dorëzimit të bilanceve nga bizneset, etj.
Banka e Shqipërisë ka lehtësuar më tej qëndrimin e politikës monetare, nëpërmjet reduktimit të normës bazë të interesit nga 1 për qind në 0.5 për qind, si dhe reduktimit të normës së interesit për kredinë njëditore, për të stimuluar rritjen e kreditimit dhe të konsumit.