Mesnata e së premtes shënoi fundin e fushatës dhe nisjen e heshtjes zgjedhore në Shqipëri. Një proces zgjedhor ky aspak i zakonshëm për rrethanat e krijuara dhe bojkotimin e saj nga opozita.
Një ditë përpara zgjedhjeve, ligji, konkretisht Kodi Zgjedhor, ndalon çdo parti të bëjë fushatë apo propagandë drejtuar zgjedhësve, raporton tch.
Vetëm administruesit e procesit të certifikuar nga KQZ janë në detyrë në ditën e heshtjes zgjedhore për të bërë shpërndarjen e materialeve dhe fletëve të votimit në qendrat e votimit.
Megjithatë, situata ka qenë e tensionuar në Shqipëri për shkak të mospjesëmarrjes së partive opozitare në zgjedhjet lokale.
Presidenti Ilir Meta ndryshoi datën e zgjedhjeve duke caktuar 13 tetorin, por Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama nuk e njohin datën e re duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë masovisht nesër në zgjedhje.
Tensione ka pasur në bashkitë që udhëhiqen nga Partia Demokratike të cilët nuk kanë lejuar shkollat të bëhen qendra votimi, ndërsa janë dëmtuar disa KZAZ duke shënuar edhe përplasje.
Për të gjitha ngjarjet pozita dhe opozita kanë fajësuar njëra-tjetrën.