Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha tha se në këtë periudhë izolimi, thuajse total të vendit, për frenimin e pandemisë së koronavirusit në disa zona është mbjellë masivisht kanabis.
“E vërteta është se pandemia u shfrytëzua për mbjellje masive të kanabisit në të katër anët e vendit. U shfrytëzua për tendera sekretë të denoncuar nga organizata serioze, mbi 20 tendera sekretë për të vjedhur në mënyrë të fshehtë. Kruja, Tepelena, Këlcyra, Përmeti, Dukagjini, Skrapari, Berati, janë mbushur si asnjëherë tjetër me kanabis. Ky do të jetë viti kulmor i kanabisit”.
Ai hoqi një paralele me vitin 2016, duke thënë se për nisjen e kultivimit u përdor e njëjta “parullë-kod”, siç e quajti ai.
“Në vitin 2016, Koço Kokëdhima doli me teorinë e kanabisit mjekësor dhe se do të siguronte eksporte të kësaj bime në SHBA. Para një muaji, Edi Rama dha kushtrimin “do të legalizojmë kanabisin mjekësor”, çka do të thotë “mbillni sa të mundeni se nuk keni asnjë pengesë”. Po tejkalohet ajo iniciativë. Pas fjalës të tij se do të miratonte ligjin për legalizimin e kanabisit, të gjithë kultivuesit e vjetër të kanabisit u mobilizuan dhe tokat e bukës po i mbjellin kanabis. Janë krijuar fidanishtet nga më të fuqishme që kanë ekzistuar ndonjëherë. Është caktuar taksa e komisarëve të policisë, me sa duket do të jetë më e lartë se sa ishte në vitin 2016. Pra do të jetë viti i dytë i kanabizimit masiv të Shqipërisë”./A2 CNN