Ndërsa hakerat vijojnë me publikimin e të dhënave që kanë marrë gjatë sulmit kibernetik në Shqipëri, kryeministri Edi Rama shprehet i bindur se Irani do të sulmojë kibernetikisht sërish Shqipërinë.
Në një intervistë për Washington Post kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria shqiptare do të konsideronte rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, vetmë kur Irani të jetë i lire.
FBI dhe një ekip nga Microsoft punuan me ekspertë të huaj dhe shqiptarë për të identifikuar katër grupe të veçanta hakerash që qeveria iraniane dihet që i sponsorizon, veçanërisht jashtë Ministrisë së saj të Shërbimeve Sekrete.
”Një prej tyre ishte në mesin e 10 grupeve më të mëdha të terrorizmit kibernetik, gjurmët e të cilëve janë zbuluar gjithashtu pas sulmeve ndaj Arabisë Saudite, Izraelit e kështu me radhë”, tha Rama.
”Hakerët e korrikut ishin të prirur për shkatërrimin e shërbimeve qeveritare, 95 për qind të të cilave Shqipëria i ka zhvendosur në disponueshmërinë online, pasi radhët e gjata më parë detyronin disa njerëz të prisnin me muaj për licencat dhe certifikatat”, shtoi ai.
”Në bazë të hetimeve, shkalla e sulmit ishte e tillë që synimi pas tij ishte shkatërrimi i plotë i infrastrukturës sonë për të na çuar në epokën e letrës dhe në të njëjtën kohë, zhdukja e të gjitha të dhënave tona. Ndjesia jonë e parë është se ata nuk ia dolën të shkatërrojnë infrastrukturën. Shërbimet janë rikthyer. Së dyti, të dhënat. Po, ata morën disa, por praktikisht jo me ndonjë rëndësi të veçantë”, theksoi kryeministri Rama.
Megjithatë Rama thekson se ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin nuk është ndonjë humbje e madhe pasi Shqipëria nuk ka pasur lidhje të fortë me të.
”Shqipëria nuk ka pasur marrëdhënie të rëndësishme me Iranin, kështu që ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nuk ishte ndonjë humbje e madhe. Vende të tjera mund të jenë në gjendje të përdorin qasjen që bëri Shqipëria, në varësi, së pari, nga tërësia e çdo hetimi, në mënyrë që të ndihen të sigurt në dëbimin e diplomatëve, dhe së dyti nga shkalla e dëmtimit që shkaktojnë sulmet”, deklaroi Rama.
“Po godet praktikisht vendin duke shkatërruar infrastrukturën më të rëndësishme”, thotë Rama për sulmet e Iranit.
”Falë Zotit, goditjet nuk janë të dukshme, plagët nuk janë fizike, por gjithsesi mbetet një agresion, një sulm dhe një dëm i drejtpërdrejtë për sovranitetin kombëtar… A do t’i ruanit ju marrëdhëniet me një vend që ju sulmon?”, pyet ai. Irani ka mohuar përgjegjësinë për sulmin dhe ka dënuar reagimin e Shqipërisë.