Shqipëria raporton 15 rastet e para me variantin e ri “Flurona”

Prishtinë | 21 Shk 2022 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Zbulohen rastet e para me Flurona në Shqipëri. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, të prekurit me grip dhe Koronavirus njëkohësisht janë zbuluar në mes të Janarit dhe fillim Shkurti.Deri tani, ISHP ka raportuar 15 raste me Flurona, mes tyre edhe një fëmijë.

“Edhe në Shqipëri janë evidentuar disa raste me Flurona, me bashkë-infeksion të Covid dhe grip, por fatmirësisht këto raste janë aktualisht të përmirësuar kanë dalë nga spitali. Nuk kanë pasur probleme shtesë, për shkak të infektimit edhe nga gripi, pasi kanë qenë të infektuar me variantin Omicron që siç dihet klinika e këtij varianti është klinikë më e lehtë krahasuar me variantin Delta. Rastet me Flurona janë evidentuar në mes të muajit Janar dhe në fillim të muajit Shkurt”, ka thënë Artan Simaku, epidemiolog në ISHP.

“Janë rreth 15 raste nga të cilat mosha mesatare është 60 vjeç, rast pediatrik ka qenë vetëm një rast dhe tani fëmija është në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësorë”, ka shtuar Simaku.

“Të gjithë personat kanë qenë të pa vaksinuar ndaj gripit, ndërsa ndaj Covid kanë qenë të vaksinuar rreth 30 % e tyre. Çka konfirmon edhe njëherë rëndësinë e madhe të vaksinimit ndaj të dy viruseve, ndaj Covid dhe gripit”.

Sipas Simakut, vaksinimi ndaj Covid nuk duhet të ndërpritet për të pasur një mbrojtje më të madhe ndaj virusit. /Tv Klan

Të ngjashme