Shqipëria regjistron 36 raste të reja me Coronavirus

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Në Shqipëri është rritur numri i personave të prekur me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirus. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë regjistruar 36 raste të reja, numër rekord që nga përhapja e pandemisë.

Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik tha se shkak për rritjen e numrit të të prekurve janë bërë grumbullimet masive dhe mosrespektimi i masave.

“Situata e COVID-19 është përkeqësuar, rastet janë shtuar dhe sot kemi 36 raste ku 27 raste i përkasin Tiranës. Kjo situatë nuk ishte kaq e papritshme për shkak të grumbullimeve masive që kanë ndodhur ditët e fundit. Jo vetëm grumbullimet, por edhe mosrespektimi i këshillave, në lidhje me distancimin fizik, në lidhje me mbajtjen e maskave, në lidhje me shumë elementë të tjerë të kujdesit personal, qoftë edhe të higjienës”, tha Bino.

Zonja Bino theksoi se kjo rritje e numrave të të infektuarve erdhi si pasojë e lehtësimit të masave shtrënguese të vendosura për afër tre muaj në vend.

“Deri në fillimin e hapjes së masave kishim një numër njëshifror, e cila erdhi si rezultat i masave drastike, i sakrificës së gjithsecilit. Por, kjo nuk do të thotë që me hapjen e masave ne të shpërdorojmë çdo këshillë dhe të shpërdorojmë atë që ne vetë sakrifikuam”, tha ajo.

Rastet e reja me koronavirus janë shënuar në Tiranë, ku 27 persona që rezultuan pozitivë, 4 raste në Shkodër, 2 raste në Kamëz, 1 rast në Durrës, 1 në Lushnje dhe 1 në Lezhë.

“Të gjitha këto raste janë shfaqje e mosrespektimit të shumë rregullave. E them dhe njëherë, të distancimit fizik apo të përgjegjshmërisë personale apo kolektive në lidhje me punëdhënësit apo punëmarrësit. Një pjesë e mirë e tyre janë kontakte të rasteve pozitive, që tregon që gjurmimi në terren po kryhet në mënyrë të fuqishme, i cili do të vazhdojë dhe do të përforcohet në javët në vijim”, u shpreh Bino.

“Ajo që është e rëndësishme të theksojmë sot është që kemi një rritje të rasteve të cilët po trajtohen pranë shërbimit infektiv, të cilat janë 41 raste dhe prej të cilëve 6 janë në terapi intensive dhe 2 të intubuar. Të gjitha këto tregojnë që COVID-19 nuk është lehtësuar, nuk është një sëmundje e cila kalon lehtësisht. Një pjesë e mirë e rasteve të cilat janë identifikuar kanë shenja klinike dhe një pjesë e tyre kanë pasur nevojë për shtrim në spital”, theksoi Bino.

Përkundër shifrave rekord, të cilat janë regjistruar që nga nisja e pandemisë në Shqipëri, zonja Bino tha se në 24 orët e fundit janë shëruar 15 qytetarë, duke çuar në 960 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Aktualisht, siç bën me dije Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, në të gjithë vendin janë 305 raste aktive.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 18,500 testime dhe janë konfirmuar pozitivë 1,299 raste.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme