Rritja ekonomike kërceu mbi katër për qind në tremujorin e dytë të vitit duke konfirmuar se aktiviteti ekonomik në Shqipëri është forcuar më tej.
Instituti i Statistikave i Shqipërisë raportoi se prodhimi kombëtar për periudhën prill-qershor u zgjerua me 4.06 për qind më bazë vjetore e udhëhequr nga ndërtimi, industria dhe turizmi.
Të dhënat historike tregojnë se rimëkëmbja e ekonomisë vazhdon të fitojë terren në mënyrë të qëndrueshme.
Sipas INSTAT, kjo është rritja më e lartë ekonomike e shënuar në tremujorin e dytë që nga viti 2012.
Paralelisht të dhënat tregojnë se rigjallërimi i aktivitetit ekonomik është me bazë të gjerë, pasi prodhimi është rritur në 9 nga 11 sektorët e ekonomisë.
Zgjerimi me 4.06 për qind i ekonomisë për periudhën prill-qershor pason rritjen 3.94 për qind të shënuar në tremujorin e parë të vitit. Kjo do të thotë se në total për gjashtëmujorin e parë, prodhimi kombëtar në 2017-ën është zgjeruar me rreth 4 për qind, një shifër kjo më e lartë se pritshmëritë e FMN-së, por edhe vetë qeverisë.
Të dhënat sugjerojnë se veç përmirësimit të ambientit, aktiviteti ekonomik në gjysmën e parë të vitit mund të ketë përfituar edhe nga shpenzimet publike gjatë fushatës elektorale.
Por pavarësisht këtij efekti, statistikat e INSTAT tregojnë se pas 9 vitesh, rritja ekonomike në Shqipëri rikthehet sërish mbi nivelin 4 për qind, një shifër e cila nëse do të konfirmohet edhe në 6 mujorin e dytë, duket se e ndan përfundimisht ekonominë shqiptare nga kriza globale e vitit 2008, më e thella që bota ka përjetuar që nga Lufta e Dytë Botërore.