Trajneri Edy Reja shpreson se sonte do të mundë ta fitojë ndeshjen e tij të parë me Kombëtaren e Shqipërisë, pasi që kishte pësuar disfatë në ndeshjen e kaluar, ku edhe debutoi në pozitën e trajnerit të kuqezinjve.
Sonte, në orën 20:45, Shqipëria do ta presë në “Elbasan Arena” Moldavinë, për ndeshjen e cila do të zhvillohet në kuadër të Grupit H të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.
Djemtë e Edy Rejës do të tentojnë ta shënojnë fitoren e dytë në këtë rund të katërt të xhirove në Grupin H. Tre pikët do t’i ndihmonin shumë kuqezinjve, pasi që ata kanë mbetur në pozitën e katërt, plot gjashtë pikë larg Turqisë në tabelën e këtij rundi.
Bastoret sportive e kanë favorizuar Shqipërinë për të fituar në këtë ndeshje, duke ia dhënë asaj 69 për qind të gjasave për të fituar.
Ndeshja e vetme mes këtyre dy Kombëtareve ishte zhvilluar më 15 gusht të vitit 2012. Ajo ndeshje kishte qenë vetëm miqësore dhe kishte përfunduar me rezultat 0:0.
Megjithatë, ndeshja e sotshme është shumë më e rëndësishme për kuqezinjtë dhe për këtë arsye ata do të jenë të motivuar ta dëshmojnë veten, bashkë me trajnerin Edy Reja.
Sipas rangimit botëror të Kombëtareve në FIFA, Shqipëria është favorite për ta fituar këtë ndeshje, pasi që ajo radhitet në pozitën e 62-të, në krahasim me Moldavinë që radhitet në pozitën e 171-të.