Kësaj pyetje “hamletiane” duhet t’i japin përgjigje sot më shumë se kurrë dhe pa sjelljen e strucit klasa e gjithmbarshme politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, veçmas ajo e dalë nga lufta e përfshirë në të gjitha qeverisjet mbas marrëveshjeve të Ohrit dhe atyre të Prespës me gojën plot të barazisë së gjuhës shqipe, duke e anashkaluar qëllimisht barazinë kushtetuese, për ç’gjë në vitin 2001 u rrokën armët dhe u derdh gjak, me atë ligjore, pra atë të numrave, ku 20 përqindëshi shfaqet limit i përdorimit të shqipes në suaza komunale, që do të thotë, se në ambientet ku kjo përqindje bie nga shkaku se një pjesë e shqiptarëve identietin kombëtar tashmë po e zëvendësojnë me atë fetar, mund të ndodhë që arsimi shqip të zëvendësohet me atë “të shumicës” maqedonisht ose turqisht!
Ky mashtrim, në të vërtetë, ka nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të klasës politike shqiptare në Maqedoni e prirur që të drejtat kombëtare të mos i shohë në përputhje me barazinë kushtetuese si popull shtetformues, por volumin me posteve në administratë, diplomaci dhe borde, gjithnjë në sherbim të nomenklaturave politike maqedonase, të cilat, pjesëmarrjen e shqiparëve në qeverisje e kanë instrumentalizuar për qëllimet që Maqedonia e Veriut të etablohet shtet-komb!
Këtij mashtrimi, që tashmë, me ardhjen në pushet të opozitës së deridjeshme nacionaliste, së cilës një pjesë e spektrit politik shqiptar i ka sherbyer me vasalitet, po i çirren maskat, por në dëm të shqiptarëve, të cilët, barazinë ligjore të gjuhës nuk e kanë as sa ajo e vitit 1974, ndihmesë të madhe i dhanë edhe të gjitha shtresat intelektuale të mendsisë së çajtoreve të Bashqarshisë, servile ndaj klaneve politike shqiptare në pushtet, siç i dhanë ndihmesë të madhe edhe mediumet, gjithashtu në shërbim të feudeve politike të Tetovës, që u pajtuan që diskursi i barazisë ligjore, pra ai i numrave, të manipulohet me atë të barazisë kushtetuese të gjuhës shqipe, në preambulën e kushtetues së shtetit.
“Çirrjet” e politikanëve shqiptarë se me vendimet e fundit të Presidentës së shtetit dhe të Gjykatës Kushtetuese që vuri në dyshim edhe barazinë ligjore të numrave, si manipulim politik, po “bëhet puç kushtetues”, janë hipokrite dhe antikombëtare njëherësh. Ngaqë qe nga Marrëveshjet e Ohrit, ato të Prespes, për ta “barazia” matej me poste, me privilegje feudesh, dhe jo me barazi kushteuese, të sankcionuara në kushtetutën e shtetit!